Ekspertët pohojnë se ka prova që pleqëria na bën më bujarë, gjë që është në kundërshtim me disa qëndrime të rrënjosura.
Ata shtojnë se kjo është për shkak të oksitocinës, një hormon që lidhet me ndjeshmërinë dhe bujarinë, i cili njihet edhe si “hormoni i dashurisë”, sepse një nga funksionet e tij është të ndihmojë çiftet, si dhe nënat dhe foshnjat, të lidhen.
Sipas një studimi amerikan, oksitocina duket se lirohet më shumë tek të moshuarit, gjë që i bën ata më bujarë kur përballen me diçka që kërkon dhembshurinë e tyre.
Studiuesit nga Universiteti i Cleremont në Kaliforni ekzaminuan 103 persona midis moshës 18 dhe 99 vjeç, duke u shfaqur atyre pamje rrëqethëse të një babai që përshkruante ndjenjat e tij për djalin e tij dyvjeçar që ishte në spital.
Më pas atyre iu kërkua një donacion anonim në spital. Ata të moshës 65 e lart dhanë pothuajse tre herë më shumë se ata të moshës 18 deri në 35 vjeç.
Gjithashtu u përcaktua se, në përgjigje të videos, ata lëshuan më shumë oksitocinë.
Dr. Paul Zack, i cili drejtoi studimin, tha se “njerëzit që prodhuan më shumë oksitocinë në eksperiment ishin jo vetëm më bujarë me veprimet bamirëse, por gjithashtu treguan shumë modele të tjera sjelljeje që lidhen me ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes”.
Besohet se kjo është për shkak se të moshuarit, të cilët kanë më shumë përvojë jetësore, janë më të aftë të menaxhojnë emocionet negative si ankthi për vuajtjet e të tjerëve.
Kjo është ajo që i lejon ata të përqëndrohen në ndjenjën e dhembshurisë, duke inkurajuar trurin të sinjalizojë çlirimin e më shumë oksitocinës.
Një studim i botuar në revistën Frontiers in Behavioral Neuroscience zbuloi gjithashtu se ata që lëshuan më shumë oksitocinë dolën vullnetarë më shpesh vitin e kaluar dhe dhanë më shumë nga të ardhurat e tyre dhe vlerën më të lartë për bamirësi. Ata ishin gjithashtu më të lumtur me jetën, transmeton Index.hr.
“Gjetjet janë në përputhje me shumë fe dhe filozofi, në të cilat kënaqësia nga jeta rritet duke ndihmuar të tjerët”, tha Dr. Zack.