Nga Juxhin Mustafaraj
Deputeti demokrat Lefter Gështenja nuk i është bashkuar grupit të Berishës në Partinë Demokratike por është i bindur se në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, demokratët mund të jenë fitues vetëm nëse dalin me një kandidat të përbashkët.
“PD ndoshta dhe gjithë opozita duhet të shkojë me një kandidat kësaj maxhorance. Duhet të lëmë mënjanë egot personale dhe të kalojmë përtej vetes.”
Për deputetin e PD demokratët nuk duhet ta refuzojnë mundësinë për të qenë fitues në këto zgjedhje.
“Mos shkojmë me 2-3 kandidatë, por me një. Jemi të dënuar të bëjmë një lëvizje të tillë.”
Edhe nëse kriza nuk do të zgjidhet, Gështenja ka një formulë që mund t’i bëj bashkë demokratët.
“Ne mund të ulemi se nuk jemi vrarë e prerë me njëri-tjetrin që të dalim me një kandidat.”
Në shtator deputetët e PD do të shprehin edhe vullnetin e tyre nëse do të qëndrojnë në këto pozita që janë apo do të ndryshojnë drejtimin e grupit. Edhe në këtë rast, vullneti i Gështenjës dhe kolegëve të tij nuk mungon.
“Ta fillojmë nga grupi parlamentar. Të biem dakord që të jemi ne të unifikuar dhe të zbresim bashkë në terren.”
Në fund të muajit gusht, pritet të mbahet një tjetër takim mes deputetëve demokratë për të diskutuar mbi zgjidhjet që do t’i japin krizës së brendshme. /abcnews.al