Kina është duke u përballur me një thatësire të madhe gjatë këtij viti ashtu si edhe pjesa tjetër e botës. Autoritetet janë duke u përpjekur për të “mbjellë re” në shtratin e lumit Yangtze në mënyrë që të bjerë shi me qëllim mbushjen e basenit të tij.
Vlerësohet se kjo është thatësira më e keqe në historinë e Kinës.
Sipas CNN, Ministria e Burimeve Ujore tha në një njoftim të mërkurën se thatësira në të gjithë pellgun e lumit Yangtze “po ndikonte negativisht në sigurinë e ujit të pijshëm të njerëzve ruralë dhe bagëtive, si dhe në rritjen e të korrave”.
Të mërkurën, provinca Hubei e Kinës qendrore u bë e fundit që njoftoi se do të mbillte re, duke përdorur jod argjendi për të nxitur reshje, raporton abcnews.al.
Të paktën 4.2 milionë njerëz në Hubei janë prekur nga një thatësirë e rëndë që nga qershori, tha të martën Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave të Hubeit. Më shumë se 150,000 njerëz atje kanë vështirësi në aksesin e ujit të pijshëm, dhe rreth 400,000 hektarë të mbjella janë dëmtuar për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës. /abcnews.al