Pelegrinazhi i përvitshëm në Tomorrit, mijëra besimtarë pritet t’i drejtohen malit dhe Teqesë së Abaz Aliut

schedule11:04 - 17 Gusht, 2022

schedule 11:04 - 17 Gusht, 2022

Nesër, më datë 18 gusht deri më datë 25 gusht, në Berat do të nisë pelegrinazhi në malin e Tomorrit.

Çdo vit, Mali i Tomorrit shndërrohet në vendin shpirtëror për mijëra pelegrinë, që adhurojnë shenjtin e tyre Abaz Ali.

Edhe këtë vit, besimtarët bektashian po përgatiten për pelegrinazhin e shenjtë në Malin e Tomorrit, për të ndjekur ritualet e shenjta dhe për të vizituar objektet e rralla të kultit, Tyrben dhe Teqenë që ndodhen në majat më të larta shkëmbore të Shqipërisë.

Sipas traditës, pelegrinët mbërrijnë në pikën më të lartë të malit Tomorr, ku në një teqe të vogël prehet shenjti Abaz Ali. Me mbërritjen e tyre në mal, pelegrinët ngrenë çadrat në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Nga ana e DVP Berat është hartuar plani i masave për garantimin e rendit dhe sigurisë, për parandalimin e aksidenteve, rritjen e sigurisë rrugore, garantimin e qarkullimit normal të mjeteve dhe këmbësorëve në akset rrugore dhe në zonat turistike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, për periudhën 18 – 25 gusht 2022.

• Në zbatim te planit te masave është hartuar plan-vendosja e shërbimeve të Policisë përgjatë të gjitha akseve rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të teqesë në Malin e Tomorrit.

• Në terren do të jenë 185 efektivë me rreth 42 mjete të DVP Berat, të cilat do të mbështeten nga shërbimet e Repartit të FNSH-Fier, si dhe nga Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore, të cilat do të mbikëqyrin 24 orë dhe do të menaxhojnë çdo situatë të krijuar në akset rrugore, si dhe në ambientet rreth teqesë në Kulmak, ku dhe do të kryhen ritet fetare.

• Për zbatimin e këtij plani masash do të bashkëpunohet me organet e pushtetit vendor, P.M.N.Z.SH.–në, Spitalin Rajonal Berat, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane etj.

• Itenerari i qarkullimit të mjeteve të pelegrinëve:

Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Malit Tomorr (drejt teqesë) do të jetë:

Hyrje e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi Uznovë – Kryqëzimi Plirëz – Teqeja e Kulmakut.

Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga Mali Tomorr (Teqeja) do të jenë:

Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) – Rrethrrotullimi i Kombinatit;

Teqe e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Berat (rruga kryesore Antipatrea) – Rrethrrotullimi i Kombinatit.

Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohet të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja Kulmak” dhe kthim.

• Kufizime per mjetet:

Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë”, ”Çorovodë – Gjerbës – Mali Tomorrit”, nuk do të lejohet të qarkullojnë mjete të tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, për periudhën 18 – 25 gusht 2022.

Kufizime do të ketë edhe për autobusët, të cilët nuk do lejohet të qarkullojnë në aksin “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

Me anë të këtij komunikimi për shtyp sjellim në vëmendje të drejtuesve të mjeteve që do të marrin pjesë në pelegrinazh, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit, të evitojnë përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të përdorin rripat e sigurimit.

Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.

Gjithashtu, është i ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në aksin e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve të zbatojnë dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë për vendet ku do të lejohet pushimi dhe parkimi i mjeteve.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e lëvizjes në disa segmente rrugore në qytetin e Beratit.

Informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që do të marrin pjesë në pelegrinazh, se në të gjitha akset rrugore dhe ambientet përreth teqesë së Kulmakut, gjatë 24 – orëve, do të ketë prezencë të shërbimeve të Policisë, të cilët do të asistojnë dhe do të japin ndihmë në çdo rast nevoje.

DVP Berat ju uron pelegrinazh të mbarë!