Ministri i Drejtësisë Garland mbron bastisjet në pronat e Trumpit: Kishte arsye të mjaftueshme

schedule10:57 - 13 Gusht, 2022

schedule 10:57 - 13 Gusht, 2022

Ministri i Drejtësisë, Merrick Garland, thotë se ka pasur arsye të mira për kontrollin e pasurisë së Trumpit në Mar-a-Lago. Ai e autorizoi vetë bastisjen. Trumpi dhe mbështetësit e tij dyshojnë për një motiv politik.

Ministri i Drejtësisë i SHBA-së Merrick Garland tha se ai e kishte “aprovuar personalisht” bastisjen e FBI-së në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Kishte “arsye të mjaftueshme” për veprimin, tha Garland në Uashington.

As FBI dhe as Departamenti i Drejtësisë nuk kanë dhënë shpjegime të hollësishme për kontrollin e pronës së Trumpit në Palm Beach të hënën (08.08). Këtë nuk e bëri as Garland, duke përmendur si justifikim “detyrimet etike”. Por ministri njoftoi se i kishte kërkuar gjykatësit përgjegjës në Florida që të publikonte urdhërin e bastisjes, sepse Trump ka konfirmuar bastisjen dhe ka një “interes të madh publik për këtë çështje”.

Problemet e mundshme

Trump mund të ankohet me shkrim deri të premten pasdite (sipas kohës së atjeshme lokale). Ish-presidenti e ka marrë urdhrin për bastisje, por nuk e ka bërë publik. Dokumenti duhet të shpjegojë më hollësisht pse autoritetet e konsideruan të nevojshme bastisjen – dhe çfarë kërkonin agjentët e FBI-së.

Sipas raportimeve të mediave, bëhej fjalë për dokumente që Trump kishte marrë nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago pas përfundimit të presidencës së tij në janar 2021, ndonëse me ligj ai duhej t’i dorëzonte të gjitha dokumentet në Arkivin Kombëtar.

Washington Post raportoi, duke cituar burime anonime, se agjentët e FBI-së po kërkonin dokumente sekrete për armët bërthamore, ndër të tjera. Gazeta nuk shpjegon nëse armët bërthamore ishin amerikane apo nga ndonjë shtet tjetër.

Kontrolli i shtëpisë së Trump konsiderohet i paprecedentë në historinë e SHBA. Presioni mbi ministrin Garland është rritur kohët e fundit për të marrë një qëndrim. Trump nuk ishte në shtëpinë e tij gjatë bastisjes.

Zemërimi në qarqet e krahut të djathtë

Ish-presidenti e përshkroi veprimin si të motivuar politikisht. 76-vjeçari pretendon se demokratët e Presidentit Joe Biden po përdorin gjyqësorin për ta penguar atë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Deklarata të ngjashme janë bërë nga përfaqësuesit kryesorë të Partisë Republikane të ish-presidentit Trump.

Në qarqet e krahut të djathtë, bastisja ka shkaktuar zemërim, që zgjon frikën për nxitjen e dhunës së mundshme. Drejtori i FBI-së Christopher Wray u ankua për kërcënimet kundër policisë federale të mërkurën dhe i përshkroi ato si “të dënueshme dhe të rrezikshme”./DW/