Do të zhvillohet të dielën festa e titullit e Partizanit. Kryeqytetasit do të kenë mundësi të kremtojnë bashkë me tifozët në “Selman Stërmasi”, pas ndeshjes së Superligës ndaj Kukësit.
Nuk ka pse të presë edhe një javë tjetër. Tifozët e Partizanit janë fatlumë që vendimi për festën e titullit u mor në Federatë, dhe u la për këtë të diel.
Trofeu do të dorëzohet, pra, një javë përpara përfundimit të Superligës, në “Selman Stërmasi”, pas ndeshjes së radhës, asaj ndaj Kukësit.
Për mbështetësit e zjarrtë të të kuqve, nuk do të jetë e nevojshme të bëjnë rrugën e gjatë dhe deri diku të vështirë drejt Gjirokastrës, aty ku disa herë ka ndodhur të kurorëzohen kampionët e Shqipërisë.
Kujtojmë Kukësin e vitit 2017, ndërsa vetë trajneri Skënder Gega aty e bëri festën e titullit në 1987, Dinamo e pati në 1986 dhe Tirana e dikurshme, 17 Nëntori, në 1982.
Do të jetë një përsëritje, më pak dramatike, më pak spontane, por më e qetë, më e organizuar dhe ndoshta më masive sesa festa kur titulli u fitua matematikisht në mbyllje të derbit ndaj Tiranës, po në “Selman Stërmasi”.
Tifozët shpresojnë që skuadra e tyre të kthehet tek fitorja, ndryshe nga sa ndodhi menjëherë pas derbit, kur në një farë mënyre iu fal ndeshja Teutës në Durrës, me rezultatin 2-0 për vendasit.
Për më tepër do të jetë sfida me rivalin e vetëm direkt këtë kampionat, Kukësin, si dhe hera e fundit që tifozët do të kenë pranë lojtarët e tyre në sezonin 2018-2019. /ABC News Albania 24/7