Tobias Ruettershoff, drejtues i zyrës së fondacionit gjerman”Konrad Adenauer” në Tiranë mendon se shkaku kryesor i largimit të rinisë dhe profesionistëve të kualifikuar nga Shqipëria është korrupsioni.
DW: Cili është mendimi juaj për situatën aktuale politike në Shqipëri?
Tobias Ruettershoff : Përshëndesim hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap historik në rrugën drejt integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një sinjal i rëndësishëm në kohët e trazuara politike globale. Shqipëria ka qenë gjithmonë shumë pro-evropiane, por për shkak të bllokimit dhe vonesës së gjatë në hapjen e negociatave, kohët e fundit kemi përjetuar, në vend, një lloj “lodhjeje” dhe zhgënjimi nga BE. Kështu, negociatat tani duhet të fillojnë shpejt për të nxitur një dinamikë të re pozitive. Për më tepër, shpresojmë që hapja e negociatave të mbajë një presion konstruktiv ndaj institucioneve dhe autoriteteve shqiptare për të vazhduar me reformat dhe konvergjencën drejt standardeve të BE. Brenda vendit, kjo do të thotë gjithashtu që çështje të tilla si skandali i inceneratorëve, i zbuluar nga opozita, duhet të çojnë në veprime më konkrete, duke përfshirë hetime të mëtejshme dhe fundin e mosndëshkimit për ata që janë të përfshirë në krime dhe korrupsion.
DW: Çfarë mendoni për reformat që Shqipëria duhet të ndërmarrë dhe të thellojë për të ecur drejt standardeve evropiane tani që negociatat e anëtarësimit janë hapur?
Tobias Ruettershoff: Është e rëndësishme që reformat të vazhdojnë për ta afruar Shqipërinë me standardet evropiane dhe për të garantuar suksesin e integrimit në BE. Që kur Shqipëria u bë kandidate për anëtarësim në BE në vitin 2014, ne kemi parë fillimin e reformave të ndryshme, më të rëndësishmen atë në drejtësi, në vitin 2016. Ky ka qenë një proces shumë i dhimbshëm, por e rëndësishme është që kjo reformë të mos ndalet në mes të rrugës, por të zbatohet plotësisht. Është mirë të shihet që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKI) janë tashmë me staf të plotë dhe funksional, gjë që së shpejti duhet të çojë në veprime më konkrete kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Janë rrugës edhe reforma të tjera, për shembull reforma zgjedhore dhe territoriale. Shpresoj që në fund, si opozita ashtu edhe mazhoranca në parlament, të bien dakord për propozime që i sjellin dobi popullit shqiptar dhe e afrojnë Shqipërinë me BE. Së bashku me partnerët tanë vendorë ne monitorojmë hartimin dhe zbatimin e të dyja reformave. Në përgjithësi, çdo legjislacion që kalon në parlament duhet të konsiderohet gjithmonë në dritën e standardeve evropiane dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare. Kështu, për shembull, ne ndajmë vlerësimin e delegacionit të BE-së dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të rishqyrtojnë miratimin e projektligjit për Amnistinë Fiskale për shkak të çështjeve të tij të qenësishme.
DW: Ju sapo përmendët rëndësinë e veprimeve konkrete kundër korrupsionit. Ndërkohë, korrupsioni në institucionet shtetërore dhe mosndëshkimi mbeten pengesa për zhvillimin e Shqipërisë. Strategjia e re e Zgjerimit të BE-së parashikon kthimin ose ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit në rast stanjacioni ose mungese të progresit. Cilat mendoni se janë veprime të rëndësishme që duhet të ndërmerren për të shmangur një rrezik të tillë të mundshëm për Shqipërinë?
Tobias Ruettershoff: Pasi është hedhur hapi i parë me Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel, tani është koha për t’iu rikthyer punës. Ajo që duket se ka qenë paksa jashtë fokusit kohët e fundit është që Këshilli i BE dhe Bundestagu gjerman kanë vendosur kushte të mëtejshme përpara se të vazhdojmë me hapjen e paketave të para të negociatave.
Kuadri i negociatave duhet të reflektojë që Shqipëria ka adresuar me sukses prioritetet si fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut, fillimi i procedimeve ndaj të akuzuarve për blerje votash, progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet dhe kërkesa të mëtejshme. Për më tepër, ne ndajmë shqetësimin e grupit parlamentar të CDU/CSU në parlamentin gjerman se ende nuk janë përmbushur disa kritere si pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe liria e shtypit. Qeveria shqiptare tani duhet t’i zbatojë këto reforma me më shumë vendosmëri. BE-ja dhe partnerët lokalë duhet të kërkojnë përmbushjen e tyre gjatë bisedimeve.
DW: Çfarë masash duhen marrë për të frenuar emigrimin masiv te rinisë, boshatisjen e vendit?
Tobias Ruettershoff: Emigrimi i rinisë dhe i profesionistëve është me të vërtetë një problem që e kemi parë në rritje gjatë viteve të fundit dhe tani po bëhet një problem shumë i rëndë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me arritjen e standardeve evropiane, por me funksionimin e shtetit dhe të shoqërisë. Për shembull, nëse shikoni numrin e mjekëve dhe infermierëve që largohen nga vendi, u shtoni atyre ata që dalin në pension dhe i vendosni përballë numrit të të diplomuarve në mjekësi, që largohen nga shkollat dhe universitetet, mund të kuptoni lehtësisht që kjo nuk është e qëndrueshme. Prandaj, qeveria duhet të ndërmarrë veprime për ta bërë jetën dhe punën në Shqipëri më tërheqëse. Besoj se kjo mund të arrihet me disa masa shumë konkrete si paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Por përtej kësaj duhet të ecim përpara në rrugën e zbatimit të standardeve evropiane dhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kjo është ajo që largon shumë njerëz nga vendi.
DW: A ka zyra e fondacionit ”Konrad Adenauer” në Tiranë projekte për të mbështetur rininë që ajo ta shohë të ardhmen në Shqipëri?
Tobias Ruettershoff: Që nga fillimi i punës në Shqipëri të fondacionit gjerman “Konrad Adenauer,” një dekadë më parë, puna me rininë shqiptare dhe mbështetja e saj kanë qenë shtylla thelbësore të angazhimit të fondacionit. Ne punojmë me organizatat rinore, më e rëndësishmja me krahun rinor të Partisë Demokratike, por edhe lëvizjet rinore jopartiake si Kongresi Rinor Kombëtar për t’u mundësuar të rejave dhe rinjve të kenë një zë më të fortë në debatin politik. Për më tepër, ne organizojmë disa seminare çdo vit për studentë dhe të diplomuar, si Shkolla Verore Evropiane ose Shkolla Verore për Gazetarët e Rinj. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, ne kemi një program bursash Master, për studentët në universitetet shqiptare, për të cilin së shpejti do të publikojmë sërish Thirrjen tonë për Aplikime për vitin e ardhshëm akademik./DW/