Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Londër, zhvilloi të premte një takim me komunitetin shqiptar që jeton prej vitesh atje.
Basha ka përsëritur qëndrimin e palëkundur të opozitës së bashkuar se zgjedhje më 30 qershor me Ramën kryeministër, nuk do të ketë.
“Ka një padurim të madh që ndryshimi të ndodhë sa më shpejt, jo për të ardhur PD në pushtet, por për të patur të gjithë mundësitë për të jetuar përmes punës së ndershme. Kjo është beteja që luftojmë sot. Ata që mendojnë se kjo është luftë për pushtet, ndodhen vetëm në sipërfaqen e një vullkani zemërimi që zien shumë thellë” – theksoi Basha. Më tej kreu i PD shtoi se, Pa pasur një parlament që është peng i votës së lirë jo i kriminelëve, nuk ka zhvillim ekonomik, mundësi të barabarta për të gjithë. /ABC News Albania 24/7