E ardhmja e Taulant Seferit pritet të jetë larg Tiranës, ku për sulmuesin e kombëtares shqiptare ka oferta nga skuadra jashtë Shqipërie.
Sipas “Panorama Sport” në stërvitjen e fundit të kampionëve ishte i pranishëm edhe presidenti i klubit, Refik Halili.
Numri një i klubit takoi trajnerin Orges Shehi ku kanë diskutuar për ndeshjen e kthimit me Zrinjskin. Menjëherë Halili kaloi te sulmuesi për të folur rreth të ardhmes së tij. Presidenti ka kërkuar nga lojtari që të mendojë për të ardhmen, sepse mund të ketë oferta serioze në drejtim të tij dhe sulmuesi duhet të jetë gati për një lëvizje në një kampionat më të fortë.
Sigurisht, flitet për transferim me shifra mbi 500 mijë euro që mund të marrë klubi, ashtu si edhe rroga e lojtarit.
Klubi ka disa oferta që mund të materializohen në ditët në vazhdim. Kujtojmë që sulmuesi është nga më të paguarit te Tirana, ndërsa ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të fundit.
Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje, koleksionoi 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta. Këtu nuk llogariten ndeshjet e kombëtares shqiptare. /f.a/abcnews.al