May “hap rrugën” për pasardhësin: Largohem nëse plani i Brexit dështon

schedule23:59 - 16 Maj, 2019

schedule 23:59 - 16 Maj, 2019

Theresa Mej ka pranuar të hapë rrugën për një pasardhës në krye të qeverisë nëse plani i saj për Breksit do të dështojë sërish në Parlamentin britanik. Me të marrë dhenë lajmi, ish-ministri i Jashtëm Boris Xhonson ka konfirmuar kandidaturën e tij për postin e kreut të qeverisë.

Kryeministrja britanike Theresa Mej ka premtuar se do të caktojë një datë për zgjedhjn e pasardhësit të saj, pas votimit të radhës për Breksit që do të mbahet në qershor. Vendimi vjen pas një takimi mes kryetares së qeverisë dhe figurave të hershme të konservatorëve, që po kërkojnë një datë për largimin e saj nga Dauning Strit. Mej i mbijetoi një votëbesimi të kërkuar nga konservatorët e saj në fund të vitit të kaluar dhe rregullat e partisë thonë se ajo nuk mund të sfidohet për postin e kryetares së qeverisë deri në dhjetor. Por Mej është ndodhur nën një presion të fortë për të dhënë dorëheqjen për shkak të ngecjes së marrëveshjes së Breksit dhe rezultateve të dobëta të konservatorëve në zgjedhjet lokale të mbajtura në Angli. BBC shkruan në edicionin e saj online se, do të ishte e paimagjinueshme që Mej të qëndronte në detyrë nëse plani i saj për daljen nga BE-ja do të refuzohej për të katërtën herë. Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm britanik, Boris Xhonson ka konfirmuar se do të garojë për postin e kryetarit të konservatorëve menjëherë sapo Mej të largohet. I pyetur në një event të mbajtur në Mançester nëse do të jetë kandidat, ai është përgjigjur shkurt: “Sigurisht që po”. Ndërkohë, figura të tjera pritet të hedhin kandidaturën për postin e liderit, që njëkohësisht në rast zgjedhjeje do të bëhet edhe kryeministër. /ABC news Albania 24/7