Kuvendi diskuton sot për draft-rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid

schedule08:45 - 16 Maj, 2019

schedule 08:45 - 16 Maj, 2019

Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë sot propozim-rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili këto ditë ka qenë shumë aktiv në çështjet që ndërlidhen me gjykimin dhe dënimin e krimeve gjatë kohës së luftës së viteve 1988-’99, ka thënë se pret përkrahje nga të gjitha grupimet politike në Kuvend.

“I takon Kosovës që të dokumentojë, të faktojë dhe dëshmojë të gjitha krimet dhe gjenocidin që i ka kryer Serbia mbi Kosovë, në mënyrën që t’i hapet një perspektivë e re rajonit të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, për të gjitha vendet”, ka thënë Veseli.

Pas shqyrtimit të propozim-rezolutës, Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit.

Sipas Veselit, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare, duke theksuar synimin për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë. Nuk do të ndodhë ditën e enjte, Mund të marrë kohë shumë. Për vet faktin që Komisioni shtetëror, pasi që të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i kryejë. Pastaj, duhet të shkojmë në fund të asaj e që do të jenë aktakuzat. Aktakuzat do të ngrihen nga vet Prokuroria dhe gjyqësia jonë”, theksoi Veseli.

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”.

Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë ‘ad hoc’ për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili ka punuar për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje.

Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona./REL