Bill Gates po përpiqet të dalë nga lista e personave më të pasur në botë. Miliarderi do të dhurojë 20 miliardë dollarë nga pasuria e tij për fondacionin “Bill dhe Melinda Gates”. Njeriu i katërt më i pasur në botë tha se ndihej i detyruar për t’ia kthyer shoqërisë të gjithë burimet e tij.
Gates fillimisht u zotua të dhuronte pasurinë e tij në 2010, por vlera e tij neto është dyfishuar që atëherë. Aktualisht, pasuria e tij vlerësohet 118 miliardë dollarë sipas revistës Forbes, por kjo shifër do të bjerë ndjeshëm pas shumës që do të japë për fondacionin që krijoi me ish gruan e tij në vitin 2000.
As I look to the future, I plan to give virtually all of my wealth to the foundation. I will move down and eventually off of the list of the world’s richest people.
— Bill Gates (@BillGates) July 13, 2022
Në një postim në Twitter, bashkëthemeluesi i Microsoft tha se fondacioni do të rrisë shpenzimet e tij nga 6 miliardë dollarë në vit në 9 miliardë dollarë deri në vitin 2026 për shkak të “pengesave globale” të fundit duke përfshirë pandeminë, luftën në Ukrainë si dhe krizën klimatike.
“Ndërsa shikoj nga e ardhmja, kam në plan t’i jap pothuajse të gjithë pasurinë time fondacionit. Do të zbres dhe largohem nga lista e njerëzve më të pasur në botë. Kam detyrimin që t’ia kthej shoqërisë resurset e mia, në mënyra që të kenë impaktin më të madh sa i përket përmirësimit të jetës.
Shpresoj që edhe të tjerë, të cilët janë në pozita të tilla, të bëjnë të njëjtën gjë”, tha Gates. /abcnews.al