“Punë në këmbim të rrogës,” Universiteti “Aleksandër Moisiu” reagon pas denoncimit: Programi, model gjerman

schedule12:00 - 14 Korrik, 2022

schedule 12:00 - 14 Korrik, 2022

Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka reaguar rreth denoncimit të bërë mbrëmjen e së mërkurës nga Mirgen Qiraxhi lidhur me mënyrën sesi bëhet praktika e studentëve në këtë  Universitet të Durrësit.

Në emisionin “Bardh a Zi”, Qiraxh bëri të ditur se studentëve të hoteleri-turizmit iu sigurohet punë në këmbim të rrogës së parë. Tashmë, Universiteti në një reagim sqaron se bëhet fjalë për modelin e Studimeve të Integruara me Praktikën. Ky program, sipas Universitetit, është çelur sipas modelit të Akademive Profesionale “Berufsakademie” në Gjermani.

Në thelb të tij, sipas asaj që shpjegohet,  është ndarja e barabartë e raportit të mësimdhënies dhe praktikës së punës (50% teori (në auditorë) dhe 50% trajnim profesional në kompani në mënyrë që studenti të fitojë përvojë pune që sapo fillon studimet).

Reagim i Universiteti “Aleksandër Moisiu”

“Më datë 13 korrik, 2022, në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News, me titull “Problemet e Universiteteve në Gjyq”, njëri prej panelistëve hodhi akuzën se “Universiteti i Durrësit punon si agjenci punësimi, punë në këmbim të rrogës”.

Duke besuar në qëllimin e mirë të televizionit dhe të përfaqësuesit të shoqërisë civile, Universiteti kërkon të sqarojë palët dhe opinionin publik se:

Akuza e hedhur pa të drejtë bëhet për modelin e Studimeve të Integruara me Praktikën. Ky program është çelur sipas modelit të Akademive Profesionale “Berufsakademie” në Gjermani. Në thelb të tij është ndarja e barabartë e raportit të mësimdhënies dhe praktikës së punës (50% teori (në auditorë) dhe 50% trajnim profesional në kompani në mënyrë që studenti të fitojë përvojë pune që sapo fillon studimet).

Kurrikulat e këtyre programeve janë hartuar nga një grup pune me ekspertë të GIZ Albania në përputhje me rezultatet e treguara nga studimi i tregut të punës. Ndërsa studentët kanë garanci punësimi në profilet e tyre dhe sipas statistikave tona 95% e tyre punësohen menjëherë pas diplomimit në kompaninë ku janë trajnuar profesionalisht.

Bëjmë me dije se falë mbështetjes së kompanive shqiptare, studentët e këtyre programeve të studimit, paguajnë tarifë prej 12.500 lekë në vit, dhe marrin mësimdhënie cilësore nga profesorë vendas dhe të huaj.

Është falë modeleve të tilla, por edhe ndërkombëtarizimit, shërbimeve studentore dhe të karrierës, transparencës dhe informacionit, etj, që Universiteti “Aleksandër Moisiu” njeh rritje të përvitshme në numra dhe cilësi (të dhëna të INSTAT).

Në dritën e largimeve të të rinjve nga vendi, dhe të shifrave të larta të papunësisë së tyre, në ftojmë median serioze dhe shoqërinë civile, që të mbështesin dhe promovojnë këtë model, ku studentët pasi diplomohen marrin në dorë jo vetëm Diplomën Bachelor, por dhe kontratën e punës.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” mbetet i hapur për çdo pyetje nga media, shoqëria civile apo individë, në lidhje me këtë program, apo ofertën e tij akademike.”

*Në video mendimi i Prof. Dr. Paul Koku (Florida Atlantic University), për Studimet e Integruara me Praktikën dhe studentët e këtyre programeve.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!