Mbi 800 milionë njerëz në mbarë botën në “mëshirën” e varfërisë ekstreme

schedule21:26 - 12 Korrik, 2022

schedule 21:26 - 12 Korrik, 2022

Më shumë se 800 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga uria për shkak të konflikteve të armatosura, ndryshimeve klimatike dhe mungesës së zhvillimit, sipas shifrave të publikuara nga organizata gjermane “Welthungerhilfe” si pjesë e raportit të saj vjetor.

“Për shumë vite ka pasur një përmirësim të qëndrueshëm në luftën kundër urisë, por që nga viti 2014 situata ka ndryshuar: krizat e shumta po shkaktojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të njerëzve të uritur”, thuhet në raport, duke vënë në dukje se pasiguria ushqimore tani po përkeqësohet për shkak dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve.

Veçanërisht dramatike, sipas organizatës, është situata në Jemen, Afganistan dhe Sudanin e Jugut, por edhe në Madagaskar dhe vendet e Afrikës Lindore, ku ndryshimet klimatike po shkaktojnë thatësirë ​​të madhe.

“Kjo është një thirrje alarmante për të rritur përfundimisht përpjekjet për të trajtuar ndryshimin e klimës, i cili po çon në emergjenca humanitare gjithnjë e më serioze”, thekson raporti i Welthungerhilfe.

Në vitin 2021, faktorët më të rëndësishëm rëndues ishin konfliktet e armatosura gjithnjë e më serioze.

“Luftërat kanë një ndikim të madh në sistemin ushqimor, sepse p.sh. të mbjellat digjen. Magazinat po plaçkiten dhe shitja e produkteve po kufizohet”, thotë organizata.

Në të njëjtin kontekst, Ministrja e Ndihmës Zhvillimore Svenja Sulce akuzoi presidentin rus se ka ndërprerë furnizimin me ushqim për arsye strategjike.

“Dikush mund të shohë se Putini po përdor urinë si një armë lufte, se ai po bombardon qëllimisht portet e Ukrainës në mënyrë që gruri të mos mund të dorëzohet”, tha zonja Schulze për radion rbb. /abcnews.al