Nga Simon Tisdall “The Guardian”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Duke promovuar librin e tij të fundit javën e kaluar, 99-vjeçari Henry Kissinger, “dekani” i diskutueshëm i politikëbërjes së jashtme të SHBA-së, u ankua për kalibrin e ulët të lidershipit politik aktual. Një deklaratë paksa e ashpër, që vjen nga një njeri shumë i afërt me Richard Nixon, i vetmi president amerikan që dha dorëheqjen i turpëruar.
Megjithatë, lavdërimi plot ngjyra i Kissinger-it për udhëheqësit “e fortë” të pasluftës – si për britaniken Margaret Thatcher, francezin Charles de Gaulle dhe gjermanin Konrad Adenauer, të cilët për të janë ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave – nuk do të thotë se ai e ka gabim.
Me përjashtime të dukshme, kultura aktuale e presidentëve dhe kryeministrave në perëndim është e dobët, jo frymëzuese dhe e pabesueshme. Dhe kjo ka rëndësi më shumë se kurrë më parë. Në rast se demokracitë perëndimore do të mbijetojnë në luftën globale kundër një vale autoritarizmit në rritje, e personifikuar nga figura të pamëshirshme si Vladimir Putin në Rusi dhe Xi Jinping në Kinë, ato do të kërkojnë dëshpërimisht udhëheqës me aftësi, guxim dhe integritet.
Siç e tregojnë veprimet e paturpshme të Boris Johnson, cilësi të tilla shpesh mungojnë paksa, ose krejtësisht në nivelet më të larta. Dhe kjo nuk kufizohet vetëm në Britani. Në gjithë vendet demokratike, ekzistojnë “vrima të zeza” e të zbrazëta aty ku duhet të ishte besimi dhe vizioni, raporton abcnews.al.
Ndoshta kjo është një normë jo shumë e këndshme. Ndoshta politikanët mediokër që arrijnë marrëveshje dhe kompromise të dobëta, egoiste, janë në fakt ata që e bëjnë të lëkundet demokracinë liberale perëndimore. Kush i do udhëheqësit e “fortë”, nëse si në rastin e Thatcher, ata përçajnë dhe shkatërrojnë për të sunduar?
Megjithatë, në kushtet kur bota po përballet me kriza të mëdha të njëkohshme mbi klimën, biodiversitetin, urinë, migrimin, energjinë, Covid-in dhe luftën, kush mund ta përballojë këtë sjellje në krye të vendit? Pakkush dyshon në guximin dhe integritetin e Joe Biden.
Sa njerëz do ta kishin marrë presidencën amerikane në moshën 78-vjeçare? Në dallim nga Donald Trump, ai është një paradigmë e ndershmërisë. Thënë këtë, gjithnjë e më pak amerikanë duken të impresionuar nga aftësitë e tij drejtuese pas 18 muajsh.
Me një vlerësim prej vetëm 38 për qind të punës së tij nga qytetarët amerikanë, Biden përballet me poshtërimin e të qenit “një rosë e çalë’ nëse siç pritet republikanët rifitojnë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor.
Në Francë, Emmanuel Macron përballet me një problem të ngjashëm. I rizgjedhur president në një garë përballë Marine Le Pen të së djathtës ekstreme, ai e humbi menjëherë shumicën e tij parlamentare kur votuesve iu ofruan alternativa. Dhe kjo humbje po e zbret me këmbë në tokë.
Në Gjermani, Spanjë dhe Itali – demokraci të tjera që janë pararojë – udhëheqësit janë objekt i kritikave për mungesë idesh apo nervash, nga elektoratet e stresuar ekonomikisht dhe të polarizuar ideologjikisht dhe kulturalisht, të cilët dyshojnë se ata nuk janë në nivelin e detyrës.
Në Britaninë e Madhe, “nëna e parlamenteve” rikrijon çdo ditë nënën e të gjitha betejave. Gjithsesi, kritikët e kancelarit gjerman Olaf Scholz, mund të reflektojnë se paraardhësja e tij, Angela Merkel, konsiderohej gjerësisht si politikania me e aftë e Evropës derisa u largua, raporton abcnews.al.
Trashëgimia e saj, dhe jo më pak qasja e saj e butë ndaj Putinit dhe politikat energjetike katastrofike, i janë nënshtruar që atëherë një rivlerësimi radikal. Nëse individët e pafajshëm nuk janë fajtorët e vetëm për lidershipin e pafuqishëm perëndimor, kush tjetër është përgjegjës?
Një rol luan zhgënjimi me demokracinë pan-evropiane. Shumica e evropianëve e pëlqejnë ende idenë e BE-së. Mbështetja publike ndaj unionit u rrit pas pushtimit rus të Ukrainës. E megjithatë arritjet e tij konkrete janë të pakta. Së fundmi, shtetet e BE-së e kanë pasur të vështirë të zbatojnë sanksionet energjetike ndaj Rusisë, apo të kenë një qasje diplomatike të unifikuar.
Ndarjet e pafundme mbi çështje të tilla si borxhi dhe migrimi, i forcojnë perceptimet e dobësisë. Një dokumentar mbi prapaskenat e diplomacisë, që tregon bisedat telefonike midis Macron dhe Putinit pak ditë para pushtimit, tregon se sa lehtë një udhëheqës kombëtar mund të heqë dorë nga solidariteti evropian kur i përshtatet interesave të ngushta.
Në mbarë Perëndimin gjeopolitik, po zbehet besimi i publikut tek institucionet që mbështesin demokracinë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për sisteme zgjedhore jo përfaqësuese, gjyqtarët e politizuar, një OKB e diskredituar dhe një “rend i bazuar në rregulla” i dështuar, apo paaftësia kronike e qeverive për të zbatuar premtimet.
Ajo që ndodhi së Britani është paralajmëruese. Pandershmëria e vazhueshme e Johnson mbi gjithçka, duke nisur nga Brexit, e ushqeu cinizmin dhe apatinë ndaj politikës. Mini-Trumpi do të largohet së shpejti nga detyra, por ai bëri një maksi-dëm. Degradimi institucional në SHBA, ka nxitur disa të pyesin nëse vendi është i paqeverisshëm.
“Gënjeshtra e madhe” e vitit 2020 ka bërë një dëm të madh, ashtu si vendim i një Gjykate të Lartë partiake, vendimet e së cilës mbi abortin, pronësinë e armëve dhe veprimet ndaj ndryshimit të klimës, sfiduan opinionin e shumicës. Një sondazh i ri i Gallup, zbuloi se besimi i publikut tek institucionet e SHBA-së, ka rënë në një rekord të ri të ulët prej 27 për qind . Presidenca, Kongresi, gjykatat, mediat, bankat, kishat dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë, janë që të gjitha më pak të besueshme se kurrë më parë.
Në SHBA, ashtu si edhe në Britani, qeveria dhe publiku kanë shumë nevojë që të rilidhen me njeri-tjetrin. Në rast se popujt në Perëndimit nuk u besojnë më miteve të tyre, nuk janë të sigurt se demokracia funksionon, dhe nuk kanë besim te liderët e zgjedhur, atëherë çfarë vlere ka lufta globale kundër autoritarizmit? Samiti i muajit të kaluar i vendeve më të pasura të Perëndimit, e forcoi ndjenjën e angazhimit të një beteje të humbur.
Siç e ka vënë në dukje me ironi Mark Malloch-Brown, ish-ministri britanik dhe president i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, udhëheqësit e përkëdhelur të G7-ës, të cilët po relaksoheshin duke marrë disa trajtime në një resort bavarez, nuk arritën ta shihnin të plotë panoramën, raporton abcnews.al.
Duke u fokusuar tek ndihma ndaj Ukrainën, ata i kushtuan vetëm 90 minuta sfidave të klimës, ushqimit dhe shëndetit global. Por një ballafaqim për këto sfida pritet dhe mund të ndodhë së shpejti. Një përballje kritike Lindje-Perëndim, Veri-Jug do të ndodhë në nëntor, kur të njëjtët liderë të G7-ës do të përballen me liderët e fuqishëm global, por neutral të luftës në Ukrainë si ata të Indisë, Afrikës së Jugut, Brazilit, Meksikës, Indonezisë dhe Arabisë Saudite në samitin e G20-ës në Bali.
Ata kanë axhenda shumë të ndryshme. Pas pushtimit, do të ketë një garë përfundimtare me Rusinë, Kinën dhe aleatët e tyre për fuqi, ndikim dhe legjitimitet, në të gjithë terrenin e pa pushtuar të një bote të de-konstruktuar. A do jetë demokratike e ardhmja? Ajo është në ekuilibër. Mungesa e lidershipit, plus mungesa e besimit tek vetvetja, mund të shkaktojnë ende rënien e Perëndimit.
/abcnews.al