Tre persona janë vrarë dhe 28 të tjerë janë plagosur në sulmet në zonat e banuara në Kharkiv të hënën, sipas Oleh Synehubov, kreu i administratës ushtarake rajonale.
“Sipas informacioneve të fundit nga qendra rajonale për ndihmë mjekësore urgjente, 28 persona, mes tyre një 16-vjeçar, janë lënduar si pasojë e granatimeve gjatë ditës në Kharkiv. Tre persona vdiqën”, postoi Synehubov në Telegram.
Kyrylo Tymoshenko, këshilltar i presidentit Volodymr Zelensky, konfirmoi gjithashtu numrin e të vdekurve nga sulmi në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili shtrihet në verilindje të vendit.
Forcat ruse përdorën raketahedhës të shumtë Smerch për të kryer sulmin, tha Tymoshenko në postimin e tij në Telegram. Sulmet ruse në periferi të Kharkiv dhe zonave përreth janë intensifikuar në korrik.
Të paktën 18 persona u vranë pasi një sulm rus goditi një bllok apartamentesh në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore të shtunën në mbrëmje, thanë autoritetet ukrainase të dielën.
Ndërtesa e banimit në qytetin Chasiv Yar u godit pasi Rusia përsëri i shtoi sulmet e saj në qytete dhe qyteza në Ukrainën lindore, në një përpjekje për të marrë kontrollin mbi të gjithë zonën e Donbasit.