Grupi BALFIN organizoi dje në Tiranë edicionin e parë të Balfin Real Estate Forum. Forumi mblodhi së bashku përfaqësues të Bordit Drejtues, drejtues dhe profesionistë nga kompanitë Balfin Real Estate & Hospitality, Mane TCI, Green Coast dhe Tirana Bank, si pjesë e ekosistemit në financim, për të diskutuar arritjet e Grupit në pasuritë e paluajtshme, sfidat, dhe trendet e industrisë.
Eventi u moderua nga Dr. Esmir Demaj, Kreu i Departamentit të Administrimit të Biznesit në Universitetin Epoka. Zv. Presidentja për Pasuritë e Paluajtshme në Grupin BALFIN, Ardiana Sokoli, prezantoi vizionin e Grupit BALFIN, një pasqyrë të historikut, arritjeve dhe strategjisë në industri, ndjekur nga Zv. Presidenti dhe Drejtori i Projekteve të Korporatës, Ervin Kajno, prezantimi i së cilit kishte temë "Si të Investoni, Drejtoni dhe Sponsorizoni në Pasuri të Paluajtshme". E pranishme në forum ishte edhe Drejtoresha Ekzekutive e Grupit, Edlira Muka, e cila ishte aktive në seancat e diskutimit të tryezës.
Temat e tjera trajtuan sfidat e pasurive të paluajtshme në ditët e sotme, tendencat dhe treguesit kryesorë të tregut. Pjesë të forumit ishin edhe prezantime nga Deloitte Albania, e cila kishte kryer një studim të tregut në këtë fushë, dhe Idra Research & Consulting, që ndau informacion mbi shfrytëzimin maksimal të kërkimit në pasuri të paluajtshme. Antony Slumbers, një këshilltar për teknologji dhe pasuri të paluajtshme nga Mbretëria e Bashkuar, prezantoi për audiencën "10 Gjërat që Kanë Rëndësi në të Ardhmen e Pasurive të Paluajtshme". Në fjalën e tij hyrëse, eksperti vlerësoi Grupin BALFIN për përfaqësimin e lartë të grave, veçanërisht në industrinë e pasurive të paluajtshme, të cilën ai e cilësoi si "të pazakontë, por padyshim një faktor kyç në rezultate pozitive".
Një pjesë e rëndësishme ishin diskutimet e tryezave të rrumbullakëta dhe pyetjet e përgjigjet me audiencën pas çdo prezantimi, të cilat e bënë forumin më interaktiv në tërësi, duke përfshirë aktorë dhe këndvështrime të ndryshme.
Në kuadër të fokusit rigoroz në industrinë e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, Austri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicër, Grupi BALFIN mori këtë nismë interaktive që padyshim do të kthehet në traditë dhe do të zgjerohet në pjesëmarrje, shtrirje dhe rezultate në edicionet e ardhshme. Praktika të ngjashme janë zbatuar edhe me kompanitë e shitjes me pakicë të Grupit, duke shfaqur qasjen e
BALFIN mbi zhvillimin e mëtejshëm dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.