Guximi i gazetarit si shpresa e tij e vetme!

schedule09:58 - 5 Korrik, 2022

schedule 09:58 - 5 Korrik, 2022

Nga Edi Oga

Episodi i pyetjes së “sikletshme” të gazetarit ndaj ministres, që solli atë reagim të kryeministrit, është më kompleks sa duket apo sa është trajtuar në media.

Ajo ishte një pyetje retorike, e mirëmenduar, që e kishte përgjigjen brenda. Ishte nga ato pyetje të cilat e kalonin “vijën e kuqe” që kryeministri ka vendosur për “ashpërsinë” e pyetjeve që mund t’i drejtohen atij.

Ndonëse e pashkruar kund, kjo “vijë e kuqe” është e nënkuptuar midis tij, pronarëve të mediave dhe kryeredaktorëve të tyre.

Si rregull, gazetarët e akredituar për seanca komunikimi me kryeministrin, duhet të zgjedhin pyetje nga kjo bashkësi e “dakordësuar” pyetjesh, në të kundërt, pasojat mund të jenë të papëlqyeshme për pronarët e mediave dhe gazetarët që ata sjellin.

Kryeministri mund ta kishte kaluar këtë pyetje me një përgjigje sarkastike apo kundërthumbuese nga ato të tijat, por preferoi të tregojë dhëmbët duke dhënë një sentencë shembullore për “guximtarin“, duke sjellë në vëmendje edhe një precedent.

Kryeministri nuk ka ndërmend të lëshojë asnjë centimetër nga kontrolli i tij mbi mediat.

Nga ana tjetër, duhet parë edhe aspekti personal i gazetarit që bëri pyetjen. Disa gazetarë, me ambicje për t’u faktorizuar, dalin kundër “të gjithëve” dhe bëhen të njohur pikërisht nga episode të tilla.

Nuk janë të pakta rastet kur nga konfrontime personale me kryeministra, gazetarët janë bërë të njohur, “të rëndë” dhe më vonë të mirëpaguar.

Kjo mënyrë më duket e drejtë. Në fund të fundit, pa shkelur ligjet, misioni i gazetarit ky është.

Si përfundim, mbështes plotësisht gazetarin dhe të gjithë gazetarët që kanë akoma një dimension lirie në dinjitetin dhe profesionalizmin e tyre.

Njëkohësisht, ftoj kryeministrin të reflektojë e të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj medias. E kotë, por po e shkruaj edhe këtë; ftoj drejtësinë t’i hedhë një sy çështjeve që ngrenë gazetarët e guximshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!