Për analistin Skënder Minxhozi debatit të kryeministrit Edi Rama me gazetarin Klevin Muka, të cilin e dërgoi në “riedukim” për një pyetje që i bëri ministres Olta Xhaçka, po i jepet më shumë rëndësi nga sa duhet.
I ftuar në emisionin “Log” në Abc, Minxhozi tha se akti është i dënueshëm, por shtoi se Rama e bëri diçka të tillë për të hequr vëmendjen nga çështje të tjera që kanë rëndësi më të madhe.
“Demokracia është veç të tjerash dhe një sistem krahasimor dhe precedentin e ka zeje të përditshme. Na lejohet të kujtojmë që heqja e akreditimit të një gazetari, se unë ashtu e kuptova, është një hiç me bisht përballë kërkimit të tabulatëve të gazetarëve psh, ose futjes në burg se kanë parë një karvan me tanke në veri.
Këtu jemi në një lojë krahasimesh që ka të bëjë me të tashmen. Unë them që po ndodh një gjë që vetëm me atë gazetarin nuk ka lidhje dhe me shtypin nuk ka lidhje. E marr si një akt, në vetvete është i dënueshëm dhe naiv e budalla madje, që një kryeministër të hyjë në sherr me nje gazetar për një pyetje. Unë po them se s’po ndodh asnjë akt dhune i Edi Ramës ndaj medias e as krijimi i një klime represive. Solidarizohem tërësisht me incidentin dhe gazetarin që e pësoi atë incident. Unë mendoj që Edi Rama e ka bërë këtë sherr budalla me një gazetar të ri dhe relativisht të panjohur që nuk ka bërë asgjë të keqe, qoftë jashtë formatit të etikës. Kjo është një histori diversive që krijon një histori paralele e angazhon shtypin që nga protesta e deri të studio e debatit në darkë, në një temë që është relativisht më e vogël nga rëndësia që i jepet. Për mua ka ndodhur sepse Edi Rama këtë verë të nxehtë, e me rritje çmimesh, me protestën që po afron me akuza për korrupsion, mundohet të formojë lajme paralele”, tha Minxhozi.