Barazohen rezultatet në gjysmëfinalet e konferencave në basketbollin amerikan. Portlendi dhe Filadelfia fituan dhe nuk lejuan eleminimin.
Do të luhet deri në fund.
Kjo u mor vesh pas gjysmëfinaleve të konferencave në basketbollin amerikan.
Portlendi kaloi Denverin, dhe Filadelfia mundi Toronton, në dy ndeshje me përfundim të njëjtë, 11 pikë diferencë për fituesit.
Në Arenën e Portlendit, Damien Lilard dhe Si Xhej Mekkallëm shënuan së bashku 62 pikë, me vendasit që e mbyllën sfidën 119-108.
Lilard ishte realizuesi më i mirë me 32 pikë, Mekkallëm pati 30, ndërsa Rodni Hud shtoi 25.
Denveri u udhëhoq, si gjithmonë, nga serbi Nikola Jokiç, që shënoi 29 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 8 asistë, duke iu afruar një tripëll dabëlli.
Jokiç ishte mjaft i saktë në gjuajtje, ndërsa pati në krah të zakonshmin Xhamal Marrej me 25 pikë e 10 topa në tabela.
Gjithsesi, Portlendi e deshi më shumë fitoren dhe barazoi rezultatin 3-3, me ndeshjen përcaktuese do të luhet në Denver, mëngjesin e 13 majit.
Filadelfia, po ashtu, nuk lejoi eleminimin, duke barazuar 3-3 gjysmëfinalen e Konferencës Lindore ndaj Torontos.
Fitorja ishte 112-101, dhe shënuesi më i mirë për vendasit doli Xhimi Batler me 25 pikë.
Xhoel Embijd nuk shënoi aq shumë, 17 pikë, por kapi 12 topa në tabela dhe luajti shumë mirë në sulm e në mbrojtje, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
Leonard udhëhoqi Toronton me 29 pikë e 12 topa në tabela, por kanadezët nuk mundën të rivalizonin me vendasit për asnjë moment.
Ndeshja vendimtare luhet në 13 Maj në Toronto./ABC News Albani 24/7