INSTAT: Rritje pozitive e ekonomisë me 5.97% në tremujorin e parë të vitit

schedule15:56 - 30 Qershor, 2022

schedule 15:56 - 30 Qershor, 2022

Ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive në tre muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të INSTAT  në periudhën janar-mars prodhimi i brendshëm bruto pati një rritje me 5,97 % krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërtimi duket se ka vijuar të ketë  peshën kryesore në ecurinë ekonomike  dhe për tre muajt e parë ka shënuar një rritje me 1,95%.

Po ashtu ndikim pozitiv në ekonomi ka dhënë edhe nëngrupi Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me 1,55 %  si dhe  Aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0,91%.

Sektori i Bujqësisë ku janë të vetëpunësuar një numër i konsiderueshëm  i shqiptarëve vijon të mos ketë rritje.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë periudhës janar-mars sektori i bujqësisë ka mbetur në vend dhe ka stopuar rritjen.

Negativisht kontribuan aktivitetet: Arte, argëtim dhe aktivitete të tjera shërbimi me -0,35%, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,18%.

Kjo rritje ekonomike nuk përfshin krizën e çmimeve  që ka përfshirë vendin .Në Shqipëri  rritja e çmimeve u bë e ndjeshme pjesën e dytë të muajit mars  ku karburantet dhe ushqimet kapën nivele rekord.

Ekspertët parashikojnë që kriza e çmimeve do të japë efekte  negative në ecurinë ekonomike në tremujorët në vijim .

Institucionet Ndërkombëtare Financiare si FMN dhe BB parashikojnë që rritja ekonomike gjatë këtij do të rritet ketë vit me vetëm 2%, nga 4.5% që ishte parashikimi  fillestar./Abcnews.al/