Presidenti Trump ka përdorur “privilegjin ekzekutiv” për të penguar publikimin e pacensuruar të raportit hetimor mbi ndërhyrjen ruse në Kongres. Lëvizja ka shkaktuar reagimin e demokratëve, që e kanë cilësuar lëvizjen e kreut të shtetit një sulm ndaj Kushtetutës.
Presidenti amerikan Donald Trump përdori të mërkurën “privilegjin ekzekutiv” për të bllokuar publikimin e plotë të raportit të Robert Mueller në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Lëvizja e njoftuar nga Shtëpia e Bardhë përbën një tjetër intensifikim të betejës kushtetuese mes Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët dhe presidentit republikan.
Privilegji ekzekutiv është një e drejtë e pretenduar nga krerët e shtetit për të mbajtur sekret informacionet mbi politikat e brendshme të pushtetit ekzekutiv nga degë të tjera të qeverisjes. Demokratët e kanë kritikuar ashpër lëvizjen e presidentit. Kryetari i komisionit të çështjeve gjyqësore, Jerrold Nadler ka deklaruar se Shtëpia e Bardhë po keqpërdor doktrinën e privilegjit ekzekutiv, duke zgjedhur të përshkallëzojë përplasjen mes administratës Trump dhe Kongresit.
Ndërsa kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi deklaroi se lëvizjet e Trump për të bllokuar aktivitetet e Kongresit po i pengojnë ligjvënësit të mbikëqyrin punën e administratës së tij. Por Shtëpia e Bardhë e mbrojti lëvizjen duke deklaruar se ajo ishte një manovër e imponuar nga demokratët.
“I përballur me abuzimin e hapur të pushtetit nga demokratët dhe me kërkesën e prokurorit të përgjithshëm, presidentit nuk i mbeti rrugë tjetër veç se të ushtrojë kompetencën mbrojtëse të privilegjit ekzekutiv”, tha zëdhënësja Sarah Sanders./ABC News Albania 24/7