Nga Jamie Dettmer “Politico.eu”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Vjeshtën e vitit të kaluar, centristët vunë re me kënaqësi shenjat se populizmi kishte nisur më në fund të dobësohej. Por ndërsa bota po kalon nga një krizë në tjetrën, grupi i udhëheqësve nacionalistë populistë në Evropë, filloi të bëjë lëvizjet e tyre, gati për të shfrytëzuar sa më shumë zhgënjimin e votuesve dhe turbulencat e shkaktuara nga efektet e forta ekonomike të pandemisë, të cilat tani janë thelluar më tej nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Loja po ndryshon sërish, dhe populizmi është larg nga të qenit i mposhtur. Vitin e kaluar u rrëzuan dy populistë, që ishin ngjitur dikur në pushtet duke shfrytëzuar zemërimin e popullit ndaj elitave: Bojko Borisov në Bullgari dhe Andrej Babis në Republikën Çeke.
Dhe ndonëse e rriti numrin e votave në lindje të Gjermanisë, partia Alternativa për Gjermaninë përjetoi rënie të mbështetjes në nivel kombëtar në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2021. Një sondazh i kompanisë britanike “YouGov” në muajin nëntor, zbuloi gjithashtu se mbështetja për populizmin kishte rënë në 10 vende evropiane gjatë 3 viteve të fundit, gjë që sugjeronte se joshja e tij elektorale mund të kishte arritur kulmin.
Parimi populist sipas të cilit “vullneti i popullit, duhet të jetë parimi më i lartë në politikën e një vendi” nuk rezononte më aq fort sa dikur, theksoi në analizën e saj kompania. Anketues të tjerë ranë dakord me këtë përfundim, raporton abcnews.al.
Ata theksojnë se tendenca politike po kthehej kundër populistëve në Evropën Qendrore dhe gjetkë në kontinent, dhe se mbështetja për ndjenja të tilla në të gjithë Evropën kishte rënë ndjeshëm që nga shfaqja e e Covid-19. Udhëheqësit populistë nuk kishin qenë në gjendje të shfrytëzonin sërish zhgënjimin e publikut, për shkak të kufizimeve gjatë pandemisë apo vaksinimin e detyrueshëm, siç edhe kishin shpresuar.
Po ashtu kishte shpresë për rikthimin e besimit të publikut tek ekspertiza. Tony Barber i Financial Times shkroi se “përbuzja e ekspertizës në favor të markës tregtare” nga ana e populistëve e ndihmoi Joe Biden të mposhtte presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pasi kjo qasje frikësoi shumë votues që “ishin të shqetësuar për shëndetin dhe jetesën e tyre”.
Dhe ndërsa qeveritë në detyrë dhe partitë e establishmentit u përpoqën të mbronin popullsinë me të ardhura më të ulëta dhe ato rurale nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, ato i reduktuan mundësitë e rekrutimit për populistët, qofshin në të majtë apo të djathtë të spektrit politik.
Por këtë vit, historia është paksa ndryshe. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Francë, dhe performanca elektorale e kandidates së opozitës së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, fuqia në rritje e partisë nacional-konservatore Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melon, dhe fitorja e thellë e kryeministrit hungarez Viktor Orban në muajin prill, sugjerojnë se populizmi vështirë se ka hequr dorë.
Populistët kanë ndryshuar taktikat politike, dhe i kanë moderuar synimet e tyre dikur euroskeptike, si në rastin e Melonit. Tani ata po shprehin më shumë interes në ndryshimin e BE-së nga brenda, sesa të ndjekin hapat e Brexit. “Unë mendoj se pas krizës së Covid-it, BE-ja duhet ta rikrijojë veten, dhe të gjejë një frymëzim të ri”- deklaroi Matteo Salvini, kreu i partisë italiane LEGA.
Ndërkohë, populistët e ekstremit të djathtë kanë mësuar shumë shpejt nga Orban, duke i përshtatur politikat e tyre ekonomike me të majtët, dhe në përputhje me interesat e klasës së mesme, që tani po mbetet prapa në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Në këtë kontest, ndërsa e pranoi se populistët nuk patën një “pandemi të mirë” vitin e kaluar, politologu Matthew Goodwin parashikoi se ata do të riktheheshin, duke shfrytëzuar trazirat politike që po lindin nga kriza ekonomike aktuale.
Votuesit e goditur nga krizat e njëpasnjëshme ekonomike, janë gjithnjë e më shumë të frikësuar, të vrazhdë dhe përbuzës ndaj qeverive në detyrë. Ata duan zgjidhje të shpejta, dhe po tregojnë shenja se synojnë të ndëshkojnë pushtetarët që nuk arrijnë t’u ofrojnë ndonjë masë lehtësuese.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se nga ky zemërim politik do të përfitojnë sërish populistët. Kjo u theksua qartazi nga zgjedhjet e prillit në Slloveni, ku Lëvizja për Lirinë e Robert Golobit e mposhti Partinë Demokratike Sllovene të Janez Jansa.
Votuesit e frikësuar dhe të zhgënjyer, ka të ngjarë të rreshtohen me çdo grupim politik, që është në gjendje të jetë zëdhënës i përbuzjes së tyre ndaj klasës politike. Për shembull, në zgjedhjet e pjesshme të javës së kaluar në Britani, votuesit votuan në një mënyrë shumë taktike, duke mbështetur kandidatët që do të ishin më në gjendje t’i privonin nga fitorja konservatorët e kryeministrit Boris Johnson.
Ndërsa po shtohen problemet ekonomike, ka shenja se shumë evropianë janë sërish dyshues ndaj ekspertëve dhe ekspertizës, dhe qeveritë aktuale dhe bankat qendrore rrezikojnë të pësojnë nga reagimet politike. Në një sondazh të botuar të dielën në Britani, 49 për qind e njerëzve thanë se Banka e Anglisë nuk ka bërë gjithçka që mundet për ta ulur inflacionin. Vetëm 16 për qind e vlerësuan pozitivisht.
Dhe 59 për qind thanë se nuk e miratonin menaxhimin e ekonomisë nga Johnson, ose gati 20 për qind më shumë nga një sondazh i kryer vetëm gjysmë viti më parë. Ankthi ekonomik, është arsyeja edhe e një ndarjeje në rritje midis qeverive evropiane dhe votuesve të tyre në lidhje me luftën në Ukrainë.
Një sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tregon se ndërsa evropianët kanë një solidaritet të madh me Ukrainën, ekzistojnë ndarje serioze në lidhje me qëllimet afatgjata të Perëndimit. 35 për qind duan që lufta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ndërkohë 25 për qind mbështesin idenë e zhvillimit të një luftë të gjatë, derisa Rusia të ndëshkohet në mënyrë të qartë për agresionin e saj. Është e qartë se po shohim “një hendek në rritje midis qëndrimeve të deklaruara të shumë qeverive evropiane dhe prirjes së publikut në vendet e tyre”, që të gjitha të lidhura me ekonominë.
Dhe ndërsa udhëheqësit evropianë, deklaruan këtë javë se ia vlen të paguhet “çmimi i lirisë”, ata duhet të përdorin të gjitha aftësitë e tyre për t’i bindur votuesit duhen sakrifica të mëdha. Përndryshe, mund të rritet më tej hendeku midis elektoratit dhe qeverive aktuale lidhur me luftën në Ukrainë.
/abcnews.al