“Babai ishte prift dhe vdiq në burgun e Tiranës, por kur gjetëm varrin në Sharrë, u tmerruam, pasi trupi…”

schedule11:13 - 28 Qershor, 2022

schedule 11:13 - 28 Qershor, 2022

Krimet e komunizmit në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alisë. Dëshmon Spiro Rexho, ish-i dënuar politik dhe vuajtës në burgun e Vlorës e në Rubik, i cili është me origjinë nga minoriteti grek dhe ka lindur në vitin 1943 në Nivicë të Sarandës. U arrestua kur ishte ushtar në Vlorë dhe u dënua 1 vit e gjysmë me akuzë të rreme, se: “kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, planifikonte të arratisej dhe se kishte folur keq për Partinë dhe Enver Hoxhën”.

E transferuan në Rubik, ku punoi si i burgosur në minierën e bakrit. U ri dënua me 17 vjet. Kreu 12 vjet burg, nga viti 1962 deri në korrik të vitit 1973. I ati, me detyrë prift, që ka shërbyer fillimisht në Nivicë e pas luftës në Mursi, ka vuajtur dënime me burgim dhe ka vdekur në burg.  Me origjinë nga fshatrat e minoritetit grek, u shkollua në gjimnazin “Zosimea” të Janinës e më pas vazhdoi në Shkollën “Normale” të Elbasanit. Si besimtar i zellshëm u vesh prift dhe kudo ku shërbeu la përshtypje të mira.

Mori pjesë në luftën kundër pushtuesve fashistë dhe pas luftës e burgosën për idetë demokratike. Herën e parë e dënuan me pushkatim, por vendimin e ulën nga 25 vjet, në 3 vjet, për shkak të protestave të fshatrave ku kryente shërbesat fetare. Në valën e luftës kundër fesë, e burgosën sërish dhe për shkak të keqtrajtimit e kequshqyerjes, vdiq në burg. Eshtrat i’u gjetën në varrezat e Sharrës dhe trupi brenda në arkivol ishte i dhunuar: me gjymtyrë të thyera të këputura.

Dëshmon Spiro Rexho: “Babain e dënuan si prift…! Unë e hëngra, se firmosën të tjerët. Më futën për 1 vit dhe përfundova me 12 vjet burg”!

Atë e bir me origjinë nga minoriteti grek, të dënuar me akuza të rreme!

Zoti Spiro, si ju, edhe babai juaj, keni qenë të dënuar dhe keni vuajtur në burg. A mund të na tregoni si dhe pse u arrestua babai juaj, çfarë akuze i ngritën, ku e vuajti dënimin, si vdiq?

Babai im ishte me origjinë minoritar dhe i mbetur jetim. I kishte vdekur i ati, por edhe vëllai i babait, xhaxhai im. Ai vetë u detyrua që të rrisë edhe vëllezërit e tij të mbetur jetimë, edhe fëmijët e të vëllait.

Si i ri, i ndershëm dhe patriot, fshati e ndihmoi e i dha mundësi për t’u shkolluar në gjimnazin “Zosimea”, Janinë, ku babai mbaroi shkollën e mesme për mësues. Më tej ka kryer edhe Shkollën “Normale” të Elbasanit, me miratimin nga gjyshi i Josif Pashkos, Visarion Pashko, apo siç nihej ndryshe, si Paisi Vodica). Shkuan nja 10-12 minoritarë, ndërmjet tyre edhe babai, që u bë prift për atdheun. E caktuan në Nivicë; ishte fshat ku nuk dinin asnjë fjalë greqisht; shqip ishte shpirti i tij dhe ata e donin.

Mori pjesë edhe në Luftë dhe kjo është e dokumentuar. Babai dallohej për cilësitë patriotike, jo se ishte babai im, por ishte një nga intelektualët e parë tok me Lefter Talon, që u ngritën kundër gjermanëve, prandaj edhe është i regjistruar në familjet e dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, sepse ka luftuar vërtet.

Pas luftës, më 1946-ën, e arrestuan dhe e çuan në burgun e Gjirokastrës. Ishte për pushkatim, por u ngritën fshatarët e Nivicës, 19 burra e gra, shkuan në Gjirokastër para gjykatës dhe thanë: “Ai është djali i mirë i minoritetit, mos e dënoni, na dënoni ne”! Janë gjallë ata. Atëherë, dënimin nga 25 vjet e kthyen në 3 vjet.

Kur babai doli nga burgu, e caktuan në fshatra me prejardhje shqiptare, si në Mursi – fshat që nuk dinte fare greqisht – edhe 20 vite të tjera, siç ishte në Nivicë. La nam të madh edhe atje.

Kështu që babai juaj vuajti në burg deri në vitin 1949. Po më tej çfarë ndodhi?

Kur bëhej mesha në kishë, nuk më jepte mua bukë të parit, por atyre që ishin pa baba dhe nënë, ose atij që kishte babain në burg. Në vdekje, nuk diskutohet të merrte lekë kurrë, asnjë 10-lekësh nuk merrte. Besonte te Krishti, ishte aq i besuar sa nuk kishte njeri tjetër. Kur unë shkova ushtar, nuk e kisha mbushur moshën, se jam lindur më 1943, por ma kishin shkruar ditëlindjen më 1942.

Pra, ju thirrën për ushtar në vitin 1960?

Po, kështu vajta ushtar në Vlorë në moshën 17-vjeçare, në Brigadën e Artilerisë Bregdetare, ku ishin edhe 70 veta të tjerë. Më thotë një shok: “Ikim në Greqi”? “Si të ikim, je në vete”? – i them. “Ne do të ikim”, – thotë ai. Kur…..vijnë e më arrestojnë. Unë qeshja, se s’kisha bërë gjë.

Ata kishin bërë një dokument sikur kisha biseduar për t’u arratisur dhe që kisha folur kundër Enverit. Vjen Tajar Bushi, gjallë është edhe sot, e thotë në gjyq: “Ky është i vetmi njeri që nuk ka folur kundër atdheut e Partisë”. – “Erdhe për ta liruar?” – i thanë ata. “Jo, – tha – erdha që të them të vërtetën”.

E vërtetë ishte që deshët të arratiseshit?

Jo, more vëlla, e dinë mirë ata. Isha ushtar në Vlorë. Ai që më propozoi për të ikur, e pranoi që ishte fajtor dhe më ka kërkuar të falur. Po, më ka kërkuar të falur. Është në një moshë me mua. E dënuan me burg. Më thirrën dhe mua për dëshmitar, por unë në hetuesi nuk e pranova që kisha biseduar me të.

Në ç’vend e vuajtët dënimin me burgim?

Jam arrestuar në Vlorë, kur isha ushtar dhe bëra 1 vit e gjysmë burg, pastaj në Rubik drejt e në minierë, për nxjerrje bakri. Aty u dënova 17 vjet, ishim grup. U arrestova më 19 nëntor 1962 dhe bëra burg deri në korrik të vitit 1973, pra bëra 12 vjet.

Nga një akuzë e rreme për plane për arratisje, të themi, se ju faktikisht nuk u kapët në ndonjë tentativë, u ri dënuat për herë të dytë dhe këtë radhë 17 herë më tepër se herën e parë! Hytë i pafajshëm me 1 vit dënim dhe u bëtë fajtor i rrezikshëm!

E dini? Kur kisha 7 muaj brenda, vjen vendimi nga Tirana, nga hetuesia, që është i pafajshëm e duhet të dalë jashtë. Mirëpo me mua u dënua edhe një tjetër dhe ky ishte i blerë e ngulte këmbë duke më thënë: “Ti do të dalësh sot jashtë, por nuk ke ku të flesh. Kështu që më mirë të rrish këtu, se sot është e premte, nesër e shtunë, e diel. Të hënën do të vijë prokurori dhe hetuesi e do të të nxjerrin, se je i pafajshëm”.

Unë nga gëzimi nuk doja të haja as bukë. Mora familjen në telefon dhe u thashë që do të lirohem. Dita e hënë, në orën 10.00, ishte ditë e zezë për mua. Erdhi Petrit Akani, prokuror, njeri i ndershëm, burrë i ndershëm, më vuri dorën këtu e më tha: “Spiro, dëgjo, ti vërtet je njeri i pafajshëm, por ata andej nga Prokuroria, nuk pranojnë të firmosin lirimin tënd, pafajësinë”!

I thashë: “Ma bëri ky i Sarandës mua, ky nuk i zbatoi urdhrat, ky e bëri gjëmën e madhe”. E kështu nuk ma lëshuan dokumentin, por me 2 dëshmitarë të rremë, më çuan dhe në Rubik, 1 vit e dy muaj. Erdhi edhe gjenerali. “Spiro, – më tha, – do të shkosh në burg, por ta dish se je i pafajshëm. Nuk je vetëm, janë 82 veta”.

Ç’e do? E hëngra unë që ata kanë firmosur…! Kjo ishte historia ime! Vajta në burg dhe përfundova me 12 vjet pa 3 muaj. Kur unë isha në burg, morën prapë edhe babain, se ishte tjetër problem, meqë ai ishte prift; ishin nja 10-12 priftërinj…..dhe po përgatitej ajo e priftërinjve….! Sa për dokumentet? I rregullonin vetë ata siç donin. Babai vdiq në burg.

A mund të na tregoni për vdekjen e tij? Ia keni kërkuar eshtrat?

Atë kohë unë punoja në Laç, në Uzinën e Superfosfatit, isha teknik elektricist i mirë. Në atë kohë isha bashkë me Bardhyl Belishovën. Më vdes babai në burgun e Tiranës. Nga të dhënat që kisha unë, një kapter i burgut i çonte ushqim nga shtëpia…! U mundova ta gjej se kush ishte që i dërgoi bukë. Ishte një kapter nga Peshkopia ai që i jepte ushqimet.

Te burgu i vjetër në Tiranë. Morëm vesh që u varros në Kombinat. Përgjegjësi i varrezave të Kombinatit në Sharrë, kishte njohur një xhaxhain tonë që jetonte në Tiranë dhe kur vëllai im u interesua për vendin ku e kishin varrosur, ai na ndihmoi dhe e gjetëm.

Mirëpo ndodhi diçka. Kur shkuam ta nxjerrim, u çuditëm të tërë: trupi nuk ishte i vendosur normal siç vdes njeriu, por ishte një pjesë trupi dhe këmbët ishin të hedhura anash tij…! Nuk e di. Këtë e pamë të gjithë: pjesë të këmbës ishin kështu…!

Me të drejtë jeni çuditur, zoti Spiro. Kemi të dhëna edhe nga dëshmitarë të tjerë ishte burgosur politikë se në burgje kishin një praktikë të dhunimit të kufomave: ua këpusnin këmbët me kazmë dhe ua vendosnin sipër ose anash trupit. Pastaj i fusnin në thasë ose në arkivol të vegjël. Të paktën, arritët të gjeni varrin e babait, se pjesa më e madhe as nuk e dinë ku mund të jenë groposur.

Po. E gjetëm. Morëm edhe ca shpërblime për kohën e luftës e me ato ia rregulluam varrin. U bë gjithë mermer si monument.

Faleminderit ju z. Marçel, që interesoheni për shtresën tonë të dënuarave dhe përndjekurve politik, që njerëzit t’i dinë tmerret e regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës./Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!