Miqësoret e luajtura me Kosovën, trajneri i kombëtares U-17: Forcojmë grupin para Europianit

schedule15:20 - 27 Qershor, 2022

schedule 15:20 - 27 Qershor, 2022

Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi gjatë javës së kaluar dy ndeshje miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës, teksa ia doli të fitonte vëllazëroren e parë ndërsa barazoi në të dytën. Ervin Bulku, trajneri i ekipit kuqezi kishte grumbulluar 24 lojtarë për këto ndeshje që u zhvilluan në impiantin e ri sportiv “Kukës Arena”, duke pasur mundësinë të shikojë nga afër cilësitë e tyre. Skuadra kuqezi ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e miqësore përgjatë këtij viti, për t’u përgatitur mirë për eliminatoret e Kampionatit Europian të muajit shtator, ku Shqipëria është shortuar në të grupin 7, së bashku me Kroacinë, Suedinë e Uellsin.

Në një prononcim për fshf.org, trajneri Ervin Bulku flet për dy miqësoret ndaj Kosovës, duke u shprehur se nuk është shumë i kënaqur nga paraqitja e disa lojtarëve, pavarësisht fitores dhe barazimit. Bulku thekson se pjesa më e madhe e lojtarëve të grumbulluar janë tashmë të evidentuar prej kohësh dhe do të jenë ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë në turneun zyrtar, ndërsa flet edhe për futbollistët cilësorë që prodhohen në kampionatin vendas e që më pas transferohen jashtë Shqipërisë.

Paraqitja e skuadrës në këto dy miqësore – “Duke parë se çfarë tregoi skuadra në muajin prill dhe me këto dy miqësoret e fundit ndaj Kosovës, nuk jam aq shumë i kënaqur me gjendjen e skuadrës dhe lojtarëve, përveç disa prej tyre që kishin ruajtur po të njëjtën gjendje. Kjo ndoshta ndikon edhe nga fundi i sezonit futbollistik, por nuk jam shumë i kënaqur nga paraqitja e shumicës së lojtarëve. Kjo është detyrë e stafit tonë që të shohim në vijim se çfarë nuk ka shkuar në këtë periudhë me futbollistët tanë”.

Ndryshime në grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Europian? – “Mendoj që ndryshimet mund të jenë shumë të pakta, sepse ne kemi vite që i seleksionojmë këto lojtarë, pasi seleksionimi nuk ka nisur nga kjo grupmoshë, por nga moshat më të vogla. Janë lojtarë tashmë të evidentuar, që bëjnë diferencën duke marrë mendimin e të gjithë stafeve teknike që kanë bërë përzgjedhjen e këtyre lojtarëve. Kemi biseduar edhe me vetë lojtarët dhe kanë nevojë për të punuar më shumë, sidomos në klubet ku ato aktivizohen dhe stërviten. Sepse në ato pak ditë që ka në dispozicion stafi i ekipeve kombëtare, nuk mund t’i rrisë nga ana fizike lojtarët, por vetëm nga ana taktike. Koha që kemi në dispozicion nuk është e mjaftueshme për t’i marrë maksimumin këtyre futbollistëve. Jemi mbledhur edhe me stafin e Ekipeve Kombëtare dhe Drejtorinë Teknike dhe do të mundohemi që gjatë kësaj periudhe t’i kemi sa më shumë në dispozicion dhe kemi vendosur që t’i stërvisim më shumë gjatë një muaji, me qëllimin për të forcuar sa më shumë grupin, që të tregohemi sa më dinjitozë në kompeticionet europiane dhe të tentojmë edhe rezultatet pozitive”.

A ka futbollistë cilësorë Shqipëria? –  “Mendoj që elementë cilësorë në Shqipëri ka, por duhet të punohet dhe duhet të rritet cilësia e stërvitshmërisë nëpër klube dhe akademitë ku janë këta lojtarë. Është e vërtetë që kjo grupmoshë ka futbollistë mjaft të mirë dhe me cilësi. Disa prej tyre, të datëlindjes 2005 dhe 2006 kanë firmosur me skuadra të Abissnet Superiore në Shqipëri dhe dy prej tyre kanë zhvilluar edhe testime me ekipe jashtë vendit, por problemi i transferimit të tyre qëndron te mospajisja me pasaportë. Unë shpresoj që të bëhet i mundur transferimi i tyre dhe të jenë të vlefshëm për ekipin tonë kombëtar”. /f.a/abcnews.al