Parlamenti bullgar miraton propozimin francez për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

schedule13:14 - 24 Qershor, 2022

schedule 13:14 - 24 Qershor, 2022

Parlamenti bullgar ka votuar pro heqjes së VETO- për Maqedoninë  e Veriut. Me 170 vota pro, 37 kundër dhe 21 abstenim, ligjvënësit bullgarë votuan që të heqin VETO-n sipas kushteve të propozimit të presidencës franceze Emmanuel Macron. Votimi për përfundimin e vetos së Bullgarisë kundër fqinjit të saj erdhi dy ditë pasi ligjvënësit bullgarë rrëzuan qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov në një mocion mosbesimi.

Kuvendi e autorizoi Petkov që ta heqë veton në mënyrë që Maqedonisë së Veriut t’i hapet rruga për çeljen e negociatave për t’u anëtarësuar në BE. Me këtë vendim edhe ministrja për Punë të Jashtme në largim Teodora Gençovska ka marrë dritë jeshile që në emër të MPJ-së ta nënshkruaj Protokollin bilateral, të cilin së shpejti të dyja vendet duhet ta nënshkruajnë.

Më pas propozimi duhet të pranohet nga Këshilli i Ministrave, i cili do ta dërgojë në Bruksel.

Propozimi francez, që iu dorëzua pak kohë më parë Bullgarisë përmban pesë pika.

Shkupi duhet të konfirmojë para OKB-së se nuk ka pretendimet territoriale ndaj Bullgarisë, se do të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, se do të rehabilitojë viktimat nga komunizmi jugosllav, reprezaljet në territorin e saj për shkak të përkatësisë së tyre etnike bullgare, harmonizimin e teksteve shkollore në përputhje me punën e komisioneve të historisë, heqjen e të gjitha tabelave që përhapin gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë.

Pika më delikate lidhet me gjuhën. Bullgaria e konsideron maqedonishten dialekt të saj, ndërsa Shkupi e quan gjuhë më vete. Franca propozon që kjo përplasje të zgjidhet në një moment të dytë.

Kujtojmë se një ditë më parë Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se propozimi francez siç është, është i papranueshëm për vendin. Ai ka njoftuar presidencën franceze për linjat e kuqe të Shkupit të cilat duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese që ajo të jetë e pranueshme.

“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanca të fuqishme edhe nga Bullgaria, edhe nga BE-ja që Bullgaria nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja jashtë asaj për të cilën do të merremi vesh në kornizën negociuese dhe protokollit bilateral i cili akoma nuk është dakorduar me Bullgarinë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri bullgar Kirill Petkov pas samitit tha se kërkesat bullgare tashmë janë kërkesa edhe të BE-së. Nëse propozimi francez pranohet në parlamentin bullgar, Petkov thotë se i mbetet Maqedonisë së Veriut që t’i zbatojë ato për të ecur në rrugën e BE-së.

“Pamë se kërkesat të cilat janë të lidhura me presidencën franceze janë shumë të vështira për t’u pranuar nga Maqedonia e Veriut por mendoj se u bë e qartë se ato nuk janë më vetëm kërkesat e Sofjes, ato duhet të bëhen edhe kërkesat e Evropës. Arritëm që t’i sqarojmë arsyet se pse ajo që ne kërkojmë duhet të pranohet”, u shpreh Kirill Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!