Më 8 e 9 Maj do mbahet në Tiranë nën kujdesin e Presidentit Ilir Meta, Samiti i Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit. Nisma rajonale është bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010, e këtë vit bashkë me Presidentin Meta do presin në Tiranë samitin ku do marrin pjesë tre anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Presidentët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë Duda dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Mogherini.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se ky samit që përkon me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian. Në mbyllje të Samitit, liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit./ABC News Albania 24/7

