Ohër – “Roma nuk u ndërtua brenda një dite, edhe ndërtimi i një tregu të përbashkët do kohën e tij. Procesi i integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor dhe i integrimit të tij në BE nuk është një proces i lehtë, por shpresoj të mos na duhen 35 vite për të arritur atje, siç iu desh Bashkimit Evropian për të ndërtuar një treg të vetëm. Askush nga ne në këtë rajon nuk e ka luksin të humbasë asnjë ditë të vetme, duke marrë parasysh që integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor ka vite që po rri në vend”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, në Dialogun e 8-të të Forumit të Prespës, sot në Ohër.
Sekretarja e përgjithshme e RCC foli në panelin “65 vjet pas Traktatit të Romës: A është Europa plotësisht e rindërtuar dhe e integruar ekonomikisht?”, së bashku me Dimitar Kovachevski, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Olivér Várhelyi Komisioneri për Zgjerimin e BE-së dhe Ana Brnabić, kryeministre e Serbisë.
“Vitin e kaluar në këtë vend festuam hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së re Rajonale të Roaming-ut, e cila mundësoi roaming free të Ballkanit Perëndimor për qytetarët tanë. Kjo Marrëveshje Roaming ishte jo vetëm një ushtrim ekonomik që thelloi marrëdhëniet brenda rajonit e që bëri të mundur që qytetarët e Ballkanit Perëndimor të paguanin më pak, por ishte gjithashtu edhe një akt politik që na bindi se gjerat ndodhin, realizohen me sukses sa herë që liderët marrin bashkarisht vendime. Historia e Tregut të Përbashkët Rajonal nuk do të jetë e shkurtër. Normalisht është një proces që do të marrë kohë, por nëse nxitemi edhe më shumë nga nevojat dhe pesimizmi që shfaqin njerëzt, sidomos të rinjtë (1 në 3 prej tyre janë të papunë) e nëse do të donim të shihni sa më parë ndryshime në shoqëritë tona, atëherë duhet të shpejtojmë dhe të shënojmë arritje konkrete në bashkëpunimin ekonomik”, shtoi Bregu.
“Ne në RCC po vazhdojmë të punojmë për t’u dhënë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor një treg të vetëm. Jemi një rajon i vogël, me vetëm 18 milionë banorë, (ndoshta edhe më pak me zhvillimet e fundit) dhe për 76% të tyre bashkëpunimi rajonal ka vlerë të lartë. Për më shumë se 43% papunësia është problemi më i madh që rrezikon të rëndohet nga kriza ekonomike. Në kohë lufte, në kohë pandemie, është e nevojshme të afrohemi më shumë. Çfarëdo që të vendosin vendimmarrësit nga rajoni ynë, RCC është këtu për të lehtësuar dhe koordinuar. Por në fund, u takon atyre”, përfundoi Bregu.
Forumit i Prespës për Dialog, është një platformë e krijuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, liderëve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe të forcojnë partneritetin mes tyre./Abcnews.al/