Shkrihet “çatia e botës”, zhvendoset kampi bazë në Everest

schedule07:46 - 17 Qershor, 2022

schedule 07:46 - 17 Qershor, 2022

Nepali po përgatitet të zhvendosë kampin bazë në Everest sepse ngrohja globale dhe aktiviteti njerëzor po e bëjnë atë të pasigurt.

Kampi, i përdorur nga deri në 1,500 njerëz në sezonin e ngjitjeve në pranverë, ndodhet në akullnajën Khumbu që po hollohet me shpejtësi.

Një vend i ri do të gjendet në një lartësi më të ulët, ku nuk ka akull gjatë gjithë vitit, tha një zyrtar për BBC.

Studiuesit thonë se uji i shkrirë destabilizon akullnajën dhe alpinistët thonë se të çarat po shfaqen gjithnjë e më shumë në kampin bazë ndërsa ata flenë.

“Tani po përgatitemi për zhvendosjen dhe së shpejti do të fillojmë konsultimet me të gjithë aktorët”, tha për BBC Taranath Adhikari, drejtor i përgjithshëm i departamentit të turizmit të Nepalit.

“Kjo ka të bëjë me përshtatjen me ndryshimet që po shohim në kampin bazë dhe është bërë thelbësore për qëndrueshmërinë e vetë alpinizmit”, ka theksuar ai.

Kampi aktualisht ndodhet në një lartësi prej 5,364 m. I riu do të jetë 200 deri 400 metra më e ulët, tha Adhikari.

Akullnaja Khumbu, si shumë akullnaja të tjera në Himalaje, po shkrihet dhe hollohet me shpejtësi për shkak të ngrohjes globale, kanë zbuluar shkencëtarët.

Një studim nga Universiteti i Leeds në 2018 zbuloi se akullnaja po humbte 9.5 milionë metra kub ujë në vit dhe se segmenti afër kampit bazë po hollohej me një shpejtësi prej 1 m në vit.

Himalajet janë vargmalet më të mëdha në tokë, të cilat shtrihen në kontinentin e Azisë, ato njihen ndryshe si “çatia e botës”. Maja më e lartë në Himalaje është mali Everest, 8848 m. g.v/abcnews.al