Kombëtarja U-15 ka zhvilluar sot miqësoren e parë me Kosovën U-15 në “Kukës Arena” me rezultatin e sfidës që ka përfunduar me fitoren 1-2 të ekipit kosovar.
Trajneri Armand Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kolgecaj, Kovaçi, Arapi, Gjoshi, Dama, Marqeshi, Ahmeti, Blini, Shaho, Begolli, Muzhaqi.
Kuqezinjtë e vegjël e nisën mirë ndeshjen, duke treguar superioritet dhe arriti të gjejë golin e avantazhit në minutën e 15-të kur pas këmbënguljes Marqeshi kroson në qendër të zonës dhe aty Blini godet bukur me kokë, duke shënuar golin e parë.
Gjithsesi, me kalimin e minutave Kosova nis të reagojë dhe arrin të gjejë golin e barazimit në minutën e 27-të me anë të Ahmetit pas një gabimi të mbrojtësve kuqezi. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1, ndërsa në fillim të nisjes së pjesës së dytë trajneri i Shqipërisë U-15 ka bërë disa zëvendësime duke aktivizuar shumë prej lojtarëve që kishte në stol.
Që në nisje të pjesës së dytë, Kosova U-15 arrin të fitojë një 11-metërsh sërish pas një gabimi në mbrojtje me Ahmetin që futet në zonë dhe pengohet në mënyrë të parregullt nga një mbrojtës kuqezi. Nga pika e bardhë gjuan saktë Ramiqi që i çon shifrat në 2-1 për Kosovën U-15 minutën e 37-të.
Shqipëria U-15 përpiqet të gjejë golin teksa trajneri Dama bënë edhe disa zëvendësime të tjera, duke i aktivizuar të gjithë lojtarët, por deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe Kosova U-15 e fiton miqësoren e parë.
Përtej rezultatit stafi teknik pati mundësi të testonte shumë lojtarë të spikatur qoftë nga kampionati vendas dhe kampionatet e huaja, të cilët janë mbajtur vazhdimisht nën monitorim.
Të shtunën do të luhet edhe miqësorja e dytë mes Shqipërisë U-15 dhe Kosovës U-15, që do të zhvillohet po në stadiumin “Kukës Arena”. / fshf.org