Kryeqyteti indonezian Jakarta do të zhduket nën ujë brenda vitit 2050. Kjo si pasojë e trafikut shumë të rënduar që po e fundos dita – ditës dhe një popullsi prej 10 milion banorësh. Autoritetet në vend po kërkojnë një kryeqytet të ri.
Presidenti i Indonezisë po projekton transferimin e kryeqytetit të vendit, i cili ndodhet në një prej ishujve më të rëndësishëm dhe më të populluar të arkipelagut indonezian.
Arsyet e këtij vendimi drastik janë infrastrukturat e ishullit të cilat janë në kufijtë e tyre dhe nuk mund ta mbajnë më kryeqytetin prej më shumë se 10 milionë banorësh. Në fakt Jakarta po fundoset në oqean me një ritëm të tillë sa parashikohet se brenda vitit 2050 ai do të zhduket i tëri nën ujë.
Lajmi befasues u publikua një ditë pas fitores në zgjedhjet presidenciale të kreut aktual të shtetit Uidodo, në fillim të këtij muaji.
Vendimi se cili do të jetë kryeqyteti i ri i vendit nuk është marrë ende, por mediat kanë nisur të bëjnë një listë me emrat e mundshëm. Në një intervistë për “Financial Times”, presidenti indonezian u shpreh se 57 % e totalit të banorëve të Indonezisë, më shumë se 140 milion persona, jetojnë në Java, një popullsi që në kuadër të ambientit, ujit dhe trafikut nuk mund të mbështetet më në të ardhmen.
Ministri indonezian i financave deklaroi për CNBC se transferimi i kryeqytetit do të jetë i kushtueshëm, por është vendimi i duhur. Kjo sepse Jakarta nuk mund të mbështesë më aktivitet ekonomike që përqendrohen aktualisht aty, dhe ekzistojnë shqetësime serioze për cilësinë e jetës.
Dhe pse Indonezia është një vend i madh, pjesa më e madhe e aktiviteteve është përqendruar në këtë zonë, shtoi ai.
Ministri indonezian për planifikimin kombëtar të zhvillimit, ka llogaritur se humbjet ekonomike vjetore si pasojë e menaxhimit të trafikut në Jakarta tejkalon shifrën e 7 miliard dollarëve.
Në Jakarta jetojnë më shumë se 10 milion persona, por rreth trefishi i tyre jeton në qytetet pranë, duke rënduar dhe më shumë situatën në zonë. Ndër të tjera një pjesë e mirë e kryeqytetit i cili ndodhet nën nivelin e detit, është objekt i shumë përmbytjeve.
Pjesa qendrore e Xhakartës është fundosur rreth 2 metra e gjysmë në dhjetë vitet e fundit dhe vijon të rrëshqasë mesatarisht me një centimetër në vit./ABC News Albania 24/7