Rritja e tensioneve në Venezuelë ka bërë që të acarohen edhe më tej marrëdhëniet SHBA-Rusi. Ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar me opsion ushtarak, Moska, me tone kërcënuese, i ka bërë thirrje administratës amerikane që të mos përzihet në punët e brendshme të vendit latin.
Tensioni në ngjitje në rrugët e Venezuelës ka bërë që përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të arrijë pikun. Ditën e mërkurë, Uashingtoni dhe Moska kanë shkëmbyer akuza dhe kanë përdorur kërcënime me tone të Luftës së Ftohtë. Shkak është bërë një deklaratë e sekretarit të Shtetit, Majk Pompeo se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë edhe opsionin ushtarak për Venezuelën. “Nëse do të jetë e nevojshme është pikërisht ajo që do të bëjmë për të rivendosur demokracinë, edhe pse do të donim një kalim paqësor të pushtetit”, ka deklaruar Pompeo. Por në një bisedë telefonike, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka kritikuar ashpër homologun amerikan. Ai i ka bërë thirrje Uashingtonit që të mos përzihet në punët e brendshme të Venezuelës, duke kërcënuar me pasoja të rënda. “Çdo ndërhyrje ushtarake është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, që nuk ka asnjë lidhje me rivendosjen e demokracisë”, ka thënë Lavrov. Po aq i ashpër ka qenë reagimi i shefit të diplomacisë amerikane, që ka akuzuar Rusinë se synon destabilizimin e Venezuelës, duke vënë në rrezik marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Popmpeo i ka bërë thirrje Lavrov që Rusia të ndërpresë menjëherë aktivitetet e saj në mbështetje të presidentit Nikolas Maduro. /ABC News Albania 24/7