409 milionë euro kanë sjellë turistët e huaj në Shqipëri vetëm për periudhën janar-mars.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera pothuajse është dyfishuar nëse e krahasojmë me një vit më parë dhe është mbi mesataren historike të më shumë se një dekade.
Gjatë vitit të kaluar në tre muaj të ardhurat nga turistët ishin vetëm 240 mln euro.
Shtimi i të ardhurave ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar.
Por sipas Bankës së Shqipërisë në këtë vlerë ka dhënë ndikim të fortë edhe rritja e shpenzimeve ditore të turistëve.
Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit u rritën në terma vjetorë me rreth 70% ndërsa shpenzimet nga shërbimet e udhëtimit u dyfishuan.
Sipas bankës së Shqipërisë në këto të dhëna janë reflektuar jo vetëm normalizimi i kërkesës turistike dhe i modeleve të shpenzimeve në periudhën pas COVID-19, por edhe ndikimi i rritjes së çmimeve globale me efekt të gjerë në konsumin e shërbimeve.
Të shumtë kanë qenë edhe shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë vendit gjatë periudhës janar –mars të këtij viti duke shpenzuar 323 milionë euro ose 86 milionë euro më pak se të ardhurat që kanë sjellë turistët e huaj.
Turizmi në vend pritet që të jetë një ndër sektorët me impaktin më të lartë në ekonomi gjatë këtij viti duke treguar se tashmë është lënë pas ndikimi i pandemisë.
Shpenzimet e turistëve të huaj
2022 409 mln euro
2021 240 mln euro
2020 345,9 mln euro
2019 348.1 mln euro
SHPENZIMET E SHQIPTARËVE JASHTË VENDIT
2022 323 MLN EURO
2021 138.3 MLN EURO
2020 252.9 MLN EURO
2019 272.2 MLN EURO
/abcnews.al/