Mazhoranca zgjodhi presidentin e ri, çfarë duhet të presim? Kadilli: Procesi farsë dhe lojë e Ramës

schedule13:36 - 8 Qershor, 2022

schedule 13:36 - 8 Qershor, 2022

Bajram Begaj u zgjodh të shtunën e 4 qershorit, president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit.

Në votimin e tij në Kuvend morën pjesë 83 deputetë, prej të cilëve katër ishin kundër dhe një abstenoi.

Pjesa më e madhe e opozitës nga Partia Demokratike bojkotoi seancën.

Të ftuar në studion e Abc Live Fatbardh Kadilli dhe deputeti i PD-së Dashnor Sula komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri nga mazhoranca. Kadilli tha se kryeministri, Edi Rmama propozoi në momentin e fundit emrin e presidentit të ri dhe se konsultimi politik për zgjedhjen e presidentit ishte farsë dhe lojë e Ramës.

Kadilli pohoi se shqiptarët nuk kanë asnjë informacion për figurën e presidentit të ri, duke thënë se shqiptarët nuk dinë asnjë për qëndrimet politike të Bajram Begaj.

“Gjëja që më shqetëson nuk është individi, se cili është. Ajo që më shqetëson është se ka brenda një cen shumë të madh.
Konsultim politik për zgjedhjen e presidentit ishte farsë, ishte një lojë e Ramës. Edhe dorëheqja e Begajt nga posti i shefit të shtabit të Forcave të Armatosura u dha në sekondën e fundit.

Gjithë procesi ishte kot, nga 100 emrat që u tall dynjaja, Rama zgjodhi atë që nuk e njeh askush. Ne nuk e njohim fare atë. A do jetë ai njeri që do ti rezistojë presionit të qeverisë. Ai ka firmosur kalimin e pronave në interes të biznesit. Presidenti duhet të jetë garant për të mbrojtur moralin e vendit.

Sot akoma, Bajram Begaj nuk ka dhënë një intervistë, që të shprehet, që ne të dimë pozicionet e tij politike. Begaj është një njeri që i është nënshtruar qeverisë”, tha Fatbardh Kadilli.

Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Dashnor Sula tha se zgjedhja e presidentit të ri nga mazhoranca është për tu ardhur keq.

“Është për tu ardhur keq. Ne e morëm vesh kandidatin vetëm disa orë përpara. Nga 2013 e këtej Rama do ti ketë të gjitha pushtetet vetë. Proces i zgjedhjes së presidentit ishte i shtirur, manipulues. 3 grosistë fusin 85% të produkteve ushqimore në Shqipëri, pjesa tjetër fut vetëm 15%”, u shpreh Dashnor Sula.

Kujtojmë se kandidatura e Begajt u mbështet nga Partia Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e propozoi për president pas dështimit për të zgjedhur president konsensual me Partinë Demokratike në opozitë.

Partia Demokratike në opozitë e ka konsideruar jokushtetuese zgjedhjen e presidentit.

Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, ka thënë se me zgjedhjen e tij si president, “krijohet precedenti tepër i rrezikshëm për vendin sepse krijon precedentin e mundësisë së ardhjes së ushtarkëve në pushtet, pavarësisht se Kushtetuta nuk i lejon ata”.

Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare ka uruar zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se pret bashkëpunim për marrëdhënie të sigurta BE-Shqipëri.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!