Macron i gatshëm të ndërmjetësojë një zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes

schedule14:56 - 7 Qershor, 2022

schedule 14:56 - 7 Qershor, 2022

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është shprehur i gatshëm të takohet në Paris me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidentin bullgar, Rumen Radev, për të arritur një marrëveshje dypalëshe që do të mundësonte hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Ajo fillimisht kontestonte gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në të kaluarën e tyre, por tani kërkesa kryesore e saj ka të bëjë me të drejtat e pakicës bullgare duke kërkuar përfshirjen e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Franca, e cila kryeson me presidencën e BE-në deri më 1 korrik, “ka disa javë që mbështet kërkimin e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes midis dy vendeve”, thuhet në një njoftim të Pallatit Elize pas një bisede telefonike të Macronit me Kovaçevskin dhe Radevin.

Gjatë bisedës, Macron shprehu “mbështetjen e tij të plotë për një marrëveshje midis dy vendeve, si dhe respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve që pretendojnë se i përkasin komuniteteve ose pakicave të tjera”.

Kryeministri maqedonas, Kovaçevski më 6 qershor tha se ende nuk ka propozim në tryezë nga Presidenca franceze dhe se Shkupi dhe Sofja duhet të gjejnë zgjidhje për çështjet e hapura.

Ndërkohë, kryeministri bullgar, Kiril Petkov, tha më 7 qershor se Bullgaria nuk do të bëjë asgjë nën presion në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se shpreson se nga Brukseli do të ketë garanci për kërkesat bullgare, në rast se arrihet një marrëveshje mes dy vendeve.

“E gjithë ideja është se ne jemi nën presion, se po bëjmë diçka e kështu me radhë. Asgjë nuk do të bëjmë nën presion të dikujt dhe këtë duhet ta ketë të qartë populli bullgar. Ajo çfarë po synojmë është që ta dimë nëse kërkesat bullgare apo të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut do të realizohen në kuadër të procesit integrues”, tha kryeministri bullgar, Kiril Petkov.

Autoritetet maqedonase kanë kërkuar nga Sofja që të heqë veton, ndërsa paralelisht me nisjen e bisedimeve për anëtarësim, të negociohet edhe për kërkesat bullgare dhe zgjidhja të arrihet deri në përfundimit e procesit të anëtarësimit në BE./REL/