Mançester Junajtid mori një goditje të rëndë në shpresat për t’u kualifikuar në Champions. Barazoi në “Old Traford” ndaj Çelsit, pas një tjetër gabimi të portierit De Gea.
Është shumë pranë dështimit për herë të tretë në katër vitet e fundit.
Flasim për Mançester Junajtidin, dy herë kampion i Europës dhe rekordmen i titujve në Angli, por që me shumë gjasa mund të mbetet jashtë Championsit edicionin tjetër.
I duhej me patjetër fitorja ndaj Çelsit, dhe kishte një plus sepse luante në “Old Traford”, por nuk ia doli.
Përfundoi 1-1, rezultat që i jep shpresë bluve të Londrës dhe trajnerit të tyre shumë të kritikuar, Mauricio Sarri.
Junajtid e nisi shumë mirë ndeshjen, dhe kaloi në epërsi me golin e ish-lojtarit të Çelsit, Huan Mata, madje vazhdoi ta kishte lojën nën kontroll, por e pësoi sërish nga një lojtar i veti.
Gabimi erdhi nga vetë portieri De Gea, njëri nga më të mirë në botë në rolin e tij, por që po kalon një periudhë të vështirë.
Ai nuk ndaloi dot një gjuajtje nga largësia, dhe spanjolli tjetër, Markos Alonso, e shfrytëzoi rastin që iu dha.
Ishte gafa e tretë e De Geas në tri sfidat e fundit, pas atyre ndaj Barcelonës në Champions dhe Mançester Sitit në derbi.
Përballja në “Old Traford” ishte e fortë dhe me ritëm të lartë, por me pak raste.
Pavarësisht se skuadra e trajnerit Solskjer bëri më shumë për fitoren, fare mirë fitues mund të kishte qenë Çelsi, por ishte De Gea që e shpëtoi në sekondat shtesë pas gjuajtjes së Gonzalo Higuainit.
Në garë për Championsin janë Totenhemi, Çelsi, Arsenali dhe Junajtidi, që ndahen nga vetëm 5 pikë, ndërsa mbeten edhe 180 minuta deri në fund të kampionatit./abcnews.al