“Serbia nuk e ka vendin në BE”

schedule15:57 - 28 Prill, 2019

schedule 15:57 - 28 Prill, 2019

Në prag të samitit të Berlinit, një gazetë gjermane shkruan se vendet e Ballkanit nuk janë gati për të nisur negociatat e anëtarësimit. Më shumë se kushdo tjetër, vendi që sipas së gazetës nuk meriton anëtarësimin është Serbia, ku dominon një frymë e theksuar anti-BE dhe pro-ruse.

Shtetet e Ballkanit meritojnë mbështetje, por integrimi i mëtejshëm i tyre në BE do të ishte një sinjal i gabuar. Kështu thuhet në një shkrim analitik të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Sontaggszeitsung”, sipas të cilës me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Kosova nuk janë gati për t’u afruar më tej me Unionin.

Për Maqedoninë e Veriut, që ka një qeveri reformatore që për hir të së ardhmes ka bërë kompromise të guximshme, gazeta vlerëson se hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte mirënjohja e duhur për guximin e treguar.

Por vendi që sipas së përjavshmes gjermane nuk e meriton më shumë anëtarësimin në BE është Serbia, ku pjesa dërrmuese e popullsisë është anti-europiane dhe pro-ruse. Sipas gazetës, në Serbi vetëm 29 për qind e popullsisë janë pro-BE-së, ndryshe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ku mbështetja për Unionin llogaritet në 83, 84 dhe 59 për qind.

“Frankfurter Allgemeine Sontaggszeitsung” vë në dukje edhe politikat e presidentit Aleksandër Vuçiç, që nga njëra anë thotë se do të anëtarësojë vendin në BE dhe nga ana tjetër me fushatë kundër BE-së erdhi në pushtet dhe mban pushtetin.

Gazeta e vë theksin edhe tek mediat serbe të afërta me Vuçiç, si televizioni “Pink” dhe e përditshmja “Informer”, të cilat ndërmarrin fushata dezinformimi sikur BE do të organizojë luftëra ndaj Serbisë dhe se po të mos ishte për Vuçiç dhe Rusinë e Vladimir Putin, Serbia do të merrte fund.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të ishte një argument vendimtar kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Përse t’i dhurohet anëtarësimi një shteti ku urrejtja ndaj BE-së është instrument për sigurimin e pushtetit?”, shkruan gazeta gjermane. Sipas saj, në Bruksel duhet thënë: “Serbia është pjesë e Europës, por nuk e ka vendin në BE. Të paktën jo sot dhe as nesër”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!