Disa elementë metalikë në urën e fshatit Ferras, pjesë e segmentit rrugor të bypass-it të Fierit, janë vjedhur disa ditë më parë. Autoriteti Rrugor Shqiptar teksa ka treguar se autorët kanë rënë në pranga, e sheh shqetësuese këtë ngjarje duke duke theksuar se krijon rrezik për përdoruesit e automjeteve.
Njoftimi i ARRSH
Autoriteti Rrugor Shqiptar shpreh shqetësimin lidhur me ngjarjen e ndodhur në urën e fshatit Ferras, pjesë e segmentit rrugor të bypass-it të Fierit, ku persona tashmë të ndaluar nga policia, kanë vjedhur elementet metalike të kësaj vepre arti, për t’i shitur për skrap.
Duke dënuar këtë ngjarje, e cila dëmton sigurinë rrugore dhe krijon rrezik për përdoruesit e automjeteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar siguron opinionin publik se nuk do të tolerojë asnjë rast të tillë dhe së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese do të kërkojë ndëshkimin me forcën e ligjit për çdo abuzues, gjithashtu menjëherë janë marrë të gjitha masat për riparimin e këtij dëmi duke kthyer në normalitet gjendjen e urës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzues, për të bërë të mundur reagimin në kohë dhe marrjen e masave për të mos pasur asnjë problematikë në akset rrugore.
Vetëm me ndihmën dhe përgjegjshmërinë e çdo qytetari të këtij vendi do të bëjmë të mundur që siguria rrugore, në çdo cep të vendit, të jetë në nivelet që duam duke minimizuar rastet e aksidenteve.
/abcnews.al