Nga Michael McFaul “Washington Post”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe mbështetës të tjerë të Ukrainës demokratike, i janë kundërpërgjigjur luftës së nisur nga presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, me një grup shumë të madh sanksionesh kundër kompanive dhe zyrtarëve rusë.
Madje BE-ja ka vendosur së fundmi edhe ndalimin e importeve të naftës ruse, një arritje kjo shumë e rëndësishme. Por në këtë aspekt, Perëndimi ka ende hapësirë të bëjë shumë më tepër. Çdo ditë që ushtria e Putinit qëndron në Ukrainë, është një ditë kur bota e lirë duhet të vendosë sanksione të reja.
Njëkohësisht, duhet korrigjuar sa më shpejt një aspekt i regjimit të sanksioneve:ndëshkimi i gabuar i liderëve të opozitës ruse, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve të pavarur që u larguan nga atdheu i tyre, në vend se të qëndronin aty dhe mbështesin luftën e Putinit.
Tani, shumë prej tyre ndodhen në vende si Gjeorgjia, Armenia, Kazakistani, Izraeli, Turqia dhe Qipro me viza turistike afatshkurtra, duke pasur një qasje të kufizuar në kartat e tyre të kreditit apo llogaritë bankare evropiane. Disa prej tyre nuk kanë as pasaporta apo dokumente për të udhëtuar.
Shembulli i Dmitry Gudkov është shumë domethënës. Një dekadë më parë, Gudkov ishte një lideri i ri karizmatik, një yll në ngjitje në parlamentin rus. Ai kundërshtoi shumë nga lëvizjet e preferuara të Kremlinit, si aneksimi i Krimesë dhe ligjin Anti-Magnitsky (që vendosi sanksione ndaj një numri zyrtarësh amerikanë, dhe i ndaloi qytetarët amerikanë të birësonin fëmijë rusë).
Në atë kohë, Gudkov ishte një deputet i zgjedhur i parlamentit rus, dhe u përpoq ta çonte vendin e tij drejt demokracisë përmes bashkëpunimit paqësor, dhe jo përplasjes, së bashku me politikanë të tjerë. Por sot Putini po tregon zero tolerancë ndaj çdo lloj opozite.
Deri më sot, bota demokratike nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar Gudkov dhe familjen e tij që jetojnë të mërguar në Evropë. Ai nuk ka mundur të hapë një llogari bankare, pasi konsiderohet si një zyrtar publik nga Rusia. Ai dhe familja e tij hynë në Qipro me viza turistike, por mund të marrin statusin e rezidentit të përkohshëm atje, vetëm nëse hapin një llogari bankare.
Por llogaria e tij bankare në SHBA i ka bllokuar fondet e tij, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv nr.14024, dhe çlirimi i tyre kërkon një licencë të veçantë nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja. Gudkov është një lider i famshëm i opozitës dhe anëtar i Komitetit Rus kundër Luftës, që përbëhet nga grup figurash ruse, të cilat ndodhen në mërgim dhe që janë të angazhuar aktivisht kundër luftës.
Mijëra rusë më pak të njohur, që gjithashtu u larguan nga vendi pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Putini më 24 shkurt, përballen me sfida të ngjashme. Por kanë pak shpresë
për t’i bindur autoritetet se meritojnë të kenë qasje në kartat e tyre të kreditit dhe llogaritë bankare, apo të marrin viza, dokumente udhëtimi apo lejen e rezidencës së përkohshme.
Këto janë çështje të vështira për t’u adresuar. Ne nuk duhet t’u japim statusin e refugjatit rusëve që mbështesin ose janë indiferentë ndaj luftës. Por nga ana tjetër nuk duhet të ndëshkojmë ata që i rezistojnë në mënyrë aktive Putinit. Është në interesin kombëtar afatgjatë të Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe Ukrainës të ndihmojnë ata që kanë zgjedhur mërgimin në vend të pajtueshmërisë me politikat e Putinit.
Ne duhet t’i ndihmojmë ata të nxisin kundërshtimin ndaj Kremlinit. Sidomos gazetarët e pavarur që shkruajnë raportime, që mund të depërtojnë deri në Rusi, duke ofruar alternativa që janë shumë të nevojshme përballë propagandës qeveritare. Këta rusë mund të rikthehen një ditë në vendin e tyre dhe të ndihmojnë për ta shtyrë këtë vend në një drejtim më demokratik.
Bota e lirë ka çdo lloj nxitje për t’u përgatitur për atë ditë. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi, qeveritë që kanë vendosur sanksione ndaj qytetarëve rusë, duhet të krijojnë një “Komitet për Lirinë e Rusisë” me ekspertë të pavarur, të cilët mund të bëjnë rekomandime për aktivistët rusë që kanë emigruar nga Rusia, dhe që kanë nevojë për llogari bankare, karta krediti, dokumente udhëtimi, viza dhe leje pune.
Anëtarë të këtij komisioni mund të jenë edhe anëtarët aktualë të Komitetit Rus kundër Luftës, Rusia e vërtetë (një grup tjetër rus në mërgim, që është angazhuar për t’i dhënë fund luftës së Putinit), aktivistë të të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Ukraina, dhe organizatat joqeveritare të promovimit të demokracisë, që kanë vepruar më parë në Rusi, dhe që e njohin mirë lëvizjen opozitare atje.
Një vulë miratuese nga ky komitet mund të ndihmojë bankat, pronarët, kompanitë e kartave të kreditit dhe qeveritë kur marrin vendime mbi këta rusë opozitarë që jetojnë në mërgim. Po ashtu Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania, Kanadaja dhe demokracitë e tjera, duhet të krijojnë programe speciale të vizave për të inkurajuar në mënyrë aktive migrimin
nga Rusia të individëve më të aftë dhe më të zgjuar.
Edhe nëse njerëz të tillë mund të mos duan të rikthehen shumë shpejt në Rusi, ne duhet t’i ndihmojmë gjithsesi. Pasi inkurajimi i largimit të më të arsimuarve e minon regjimin e Putinit në një periudhë afatgjatë, duke e privuar vendin nga talentet e nevojshme.
Rusëve me aftësi të veçanta që jetojnë tashmë jashtë vendit, duhet t’u ofrohen mundësi të përshpejtuara për të hequr dorë nga shtetësia ruse dhe për t’u bërë shtetas të vendeve ku banojnë aktualisht. Izraeli dhe Silicon Valley në SHBA, janë vetëm dy nga vendet që kanë përfituar shumë nga valët e mëparshme të emigrimit rus.
Sanksionet kundër rusëve, në përgjigje të pushtimit barbar të Ukrainës nga Putini janë të drejta dhe efektive. Por ne duhet të punojmë me kundërshtarët e Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte. Ne nuk duhet të ndëshkojmë pa dashje ata rusë që janë të gatshëm të rrezikojnë gjithçka për të kundërshtuar Putinin.

