Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka dekretuar emërimin e anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, Sokol Ngresi.
Më emërimin e Ngresit, Gjykata e Lartë e vendit tonë bëhet me 13 gjyqtarë.
Ngresi është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë gjykatë për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 13 (trembëdhjetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Nga sot Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t`u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.
Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se Meta ka bërë thirrje ndaj të gjithë institucioneve qeverisëse të sistemit të drejtësisë por dhe aktorëve të tjerë vendimmarrës se, se Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie, jo vetëm të pavarur, por dhe plotësisht funksional e eficient. Qytetarët presin drejtësi, dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme.
/abcnews.al/