Takimi i parë mes Kim Jong Un dhe Vladimir Putin ishte një shans që ata t’i dërgonin mesazhet e tyre botës. Lideri koreano-verior iu tregoi Shteteve të Bashkuara se Peniani nuk është i vetëm në kontestin bërthamor, ndërsa ai rus se Kremlini mund të jetë një lojtar i rëndësishëm në gjeo-politikën e Gadishullit Korean.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreano-verior, Kim Jong Un, u takuan për herë të parë të enjten në qytetin Vladivostok të Rusisë. Ishte një takim që të paktën në pamje të parë la të kënaqur të dy krerët e shteteve.
Kim e cilësoi një mënyrë shumë të mirë për shkëmbimin e pikëpamjeve dypalëshe, ndërsa Putin vlerësoi se pala koreane ishte treguar shumë e hapur dhe kishte folur lirshëm për të gjitha temat që ishin shtruar në tryezë. Por më e rëndësishmja erdhi më pas.
Në përfundim të takimit ishte presidenti Putin që bëri një ekspoze të bisedimeve, duke shfaqur hapur interesin e Rusisë për t’u përfshirë në çështjen bërthamore koreane. Putin deklaroi se edhe ai kërkon një çarmatosje të plotë të Gadishullit Korean, por nënvizoi se kjo mund të arrihet duke respektuar ligjin ndërkombëtar.
“Duhet të rivendosim fuqinë e ligjit ndërkombëtar, të kthehemi në atë gjendje ku ligji ndërkombëtar dhe jo ai i më të fortit përcakton rendin në botë”, deklaroi Putin.
Nisur nga dështimi i samitit të Vietnamit mes Kim dhe Trump, kreu i Kremlinit nënvizoi se lideri koreano-verior ka nevojë për garanci ndërkombëtare në këmbim të çarmatosjes bërthamore, për të cilat nevojitet një panel shumëkombësh.
Ai propozoi rifillimin e bisedimeve të tryezës 6-palëshe mbi çështjen koreane, të bllokuara që prej vitit 2008 e që përfshijnë dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Japoninë.
“Nëse Koreja e Veriut dhe Amerika mund të ofrojnë masa të mjaftueshme për të garantuar sigurinë e Veriut, atëherë tryeza 6-palëshe nuk ka nevojë të aktivizohet. Por garancitë e mekanizmit Seul-Uashington duken të pamjaftueshme, ndaj mendoj se duhet një mekanizëm shumëkombësh për sigurinë e veriut”, vijoi Putin, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i tij është i ngjashëm me atë të Kinës.
Në tërësi, në rrafshin ndërkombëtar vizita e Kim në Rusi u konsiderua si një mundësi e re për Korenë e Veriut që t’u tregojë Shteteve të Bashkuara se ka aleatë të tjerë të fuqishëm në kontestin mes tyre.
Gjithashtu, takimi Kim-Putin u pa si një shans për vendin e izoluar aziatik për të treguar se e ardhmja e tij ekonomike nuk varet vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Nga ana tjetër, për Rusinë ishte rasti i artë për të treguar se është një lojtar i rëndësishëm dhe jo i izoluar në Gadishullin Korean./abcnews.al