Cilat janë përfitimet nga dialogu strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit?

schedule18:06 - 1 Qershor, 2022

schedule 18:06 - 1 Qershor, 2022

Maqedonia e Veriut mund të përfitojë në aspektin ekonomik dhe të sigurisë nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara, vlerësojnë analistë dhe ish-diplomatë në Shkup. Më 2 qershor në Uashington, Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet për dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni ka iniciuar dialogun strategjik me një sërë vendesh të botës. Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ky dialog përqendrohet në raportet dypalëshe dhe në të trajtohen një sërë çështjesh me interes të të dyja shteteve.

Kryediplomati maqedonas, Bujar Osmani, që udhëheq delegacionin e shtetit në Uashington, tha se Maqedonia e Veriut është bërë shteti i parë i Ballkanit që nis një proces të tillë të rëndësishëm. Delegacioni i Shkupit do të takohet nga ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Karen Dofried, e cila në prill të këtij vizitoi Maqedoninë e Veriut. Përveç Osmanit, në delegacionin maqedonas bën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petroska, ajo e Kulturës, Bisera Konstadinovska Stojçevska, dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Sipas Qeverisë maqedonase, dialogu strategjik me SHBA-në “paraqet ngritje të marrëdhënieve në nivelin më të lartë dhe është me rëndësi të posaçme në kontekstin e kërcënimeve aktuale të sigurisë”.

Dialogu Maqedoni e Veriut – SHBA thuhet se përfshin tema të raporteve dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, transportit, energjetikës, ndryshimeve klimatike, zhvillimit demokratik, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të së drejtës. Po ashtu, sa i përket bashkëpunimit në fushën e sigurisë përfshihen edhe emigracioni, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe atij ndërkombëtar.

Dialogu strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së përfshin edhe gjendjen aktuale të sigurisë, bashkëpunimit e të dy vendeve si partnere të NATO-s, aspiratat e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, kryesimin e ardhshëm të vendit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE], angazhimet tona në suaza të Samitit për Demokraci të presidentit [amerikan, Joe] Biden dhe tema të tjera me interes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Dialogu strategjik me SHBA-në vjen në një fazë kritike për procesin e integrimeve evropianeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Byrnes, më herët gjatë muajit sqaroi se dialogu strategjik në asnjë mënyrë nuk zëvendëson anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas saj, ka “shumë hapësirë për të punuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, por edhe në shumë fusha të tjera si ekonomia, energjia, ndryshimet klimatike, puna me të rinjtë, shkëmbimi kulturor dhe arsimi”.

Xhelal Neziri nga Qendra për Hulumtime, SCOOP, thotë për Radion Evropa e Lirë se nisja e këtij dialogu me Uashingtonin e bën Shkupin më imun ndaj ndikimeve malinje, në kohën kur Maqedonia e Veriut, sipas tij, ndodhet në një fazë të paqartësisë së perspektivës eurointegruese.

Dialogu strategjik është në një kohë kur Maqedonisë së Veriut i janë zbehur gjasat për një integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, pra në kohën kur mungon një perspektivë e qartë eurointegruese, gjë që mund të demotivojë institucionet që të vazhdojnë me reformat dhe mund të motivojë aktorët e huaj për të shtuar ndikimet keqdashëse në vend”, thotë Neziri.

Dialogu si mundësi për intensifikimin e investimeve amerikane

Ish-ambasadori maqedonas në SHBA, Vasko Naumovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky dialog po ashtu krijon më shumë mundësi për rritjen e investimeve ekonomike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një mënyrë konfirmojnë interesin e tyre për vazhdimin e procesit të stabilizimit të Ballkanit, veçanërisht në këtë kohë kur perspektiva evropiane në rajon nuk është aq e qartë, përkatësisht në periudhën kur ka rrezik real që i gjithë procesi i zgjerimit të BE-së të ndërpritet sa i përket anëtarësimit në vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok”, thotë Naumovski.

“Besoj se i gjithë fokusi do të vendoset në bashkëpunimin ekonomik, inkurajimin e kompanive amerikane për të vazhduar me investimet në vend, si dhe shkëmbimin e resurseve në fushën e arsimit, që do të thotë investime në plan afatgjatë”, shton Naumovski.

Projektet në fushën e energjetikës

Ndërkaq, Ilija Xhugomanov, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga ky proces është i rëndësishëm në aspektin e sigurisë, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Ai thotë se që nga prilli, grupet punuese kanë definuar projektet e bashkëpunimit, dhe sipas tij, qytetarët shumë shpejt do të ndiejnë përfitimet e inicimit të këtij dialogu.

Mund të presim ndihmë të drejtpërdrejtë, megjithëse ne kemi nevojë për më shumë edukim. Kështu që, besoj se do të zhvillohen bisedimet rreth propozimeve konkrete në fushën e energjetikës, ekonomisë e kulturës, në mënyrë që të pengohet migrimi, veçmas i të rinjve”, thotë Xhugumanov.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, rezultatet e të cilit u publikuan në fillim të këtij viti, Maqedonia e Veriut ka 10 për qind më pak popullsi sesa në vitin 2002. Kjo për faktin e shpërngulje së popullsisë për shkak të mungesës së perspektivës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!