Ndryshe nga sa kanë deklaruar publikisht, se janë pro qeverisë së mbështetur nga OKB, Shtetet e Bashkuara janë pro gjeneralit libian që ka nisur ofensivën e dhunshme për rrëzimin e qeverisë së rregullt të Tripolit. Demaskimi është bërë nga një agjenci lajmesh, që citon burime zyrtare anonime.
Presidenti amerikan Donald Trump ka inkurajuar gjeneralin libian Khalifa Haftar që të ndërmarrë ofensivën e tij për të marrë nën kontroll Tripolin dhe për të rrëzuar qeverinë e mbështetur nga OKB.
Sipas agjencisë së lajmeve “Bloomberg”, që citon burime zyrtare, mbështetja është shprehur gjatë një bisede telefonike të zhvilluar mes kreut të shtetit amerikan dhe ushtarakut libian.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se raportimi i “Bloomberg” është i pasaktë, por sipas burimeve të agjencisë, biseda mes Trump dhe Haftar ka ndodhur pasi presidenti egjiptian Abdel Fatah al Sisi u takua me homologun amerikan më 9 prill dhe kërkoi që Uashingtoni të mbështeste gjeneralin libian.
Nga ana e tij Trump ka folur edhe me princin e Abu Dabit, Mohamed bin Zajed, një mbështetës i njohur i Haftar, një ditë përpara se Shtëpia e Bardhë të shpërndante komunikatën mbi telefonatën.
Inkurajimi i Uashingtonit zyrtar për gjeneralin libian përbën një zhvillim shumë ndryshe nga pozicioni publik i shprehur më herët nga sekretari i Shtetit, Majk Pompeo, i cili më 7 prill kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ofensivën ushtarake të Haftar.
Gjenerali, që gëzon mbështetjen e Rusisë, Francës, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite, kontrollon pjesën dërrmuese të pjesës jug-lindore të Libisë. Në fillim të prillit ai nisi ofensivën për marrjen e Tripolit, që aktualisht kontrollohet nga kryeministri Saraj, i mbështetur nga vendet e BE-së./abcnews.al