Ka shkuar në 360, numri i viktimave të sulmeve me bombë në kishat e Sri Lankës. Ndërkohë, nga hetimet e autoriteteve vendase ka rezultuar se atentatorët ishin njerëz të arsimuar, njëri prej të cilëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Është rritur në 359 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur bilanci i viktimave të sulmeve të shumëfishta në Sri Lanka. Kryeministri i vendit aziatik ka deklaruar se Shteti Islamik mund të jetë i lidhur me shpërthimet e ndodhura në kishat dhe hotelet e kryeqytetit Kolombo.
Vetë ISIS mori përsipër përgjegjësinë e sulmit të shumëfishtë, por nuk paraqiti ndonjë provë për të vërtetuar përfshirjen e tij. I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Sri Lanka paralajmëroi se në vend ka gjasa të ndodhin sulme të tjera terroriste.
Ndërkohë, autoritetet kanë vijuar hetimet mbi atentatorët, nga të cilat ka rezultuar se një prej tyre dikur ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas autoriteteve, atentatori ka jetuar në jug-lindje të Anglisë në vitet 2006-2007, por nuk i ka përfunduar studimet. Më pas ai ka udhëtuar për në Australi, ka saktësuar zëvendës ministri i Mbrojtjes së Sri Lankës, pa publikuar të dhëna të tjera.
Policia ka identifikuar 8 nga 9 autorët, një nga të cilët ishte grua dhe ka konstatuar se të gjithë ishin të arsimuar dhe i përkisnin shtresës së mesme të popullsisë. Në tërësi, policia ka arrestuar rreth 60 persona në lidhje me atentatet e përgjakshme./abcnews.al