Policia jep detaje: Si u riatdhesuan 10 fëmijë dhe 3 gra shqiptare nga kampet e ferrit në Siri

schedule15:17 - 28 Maj, 2022

schedule 15:17 - 28 Maj, 2022

Policia e Shtetit ka dhënë detaje mbi riatdhesimin e 10 fëmijëve dhe 3 gra shqiptare nga kampet e ferrit në Siri.

Në lidhje me operacionin “Extraction 4” policia njofton se: Prej datës 19.05.2022 deri në datën 27.05.2022, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me homologët nga Kosova, është përfshirë në një operacion të koordinuar nga partnerët amerikanë, për identifikimin, gjetjen dhe riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, të cilët ndodhen në kampet në Siri.

Siç njofton policia ky operacion u zhvillua në disa kampe famëkeqe si Al-Hawl dhe Roj, si dhe në kampe të tjerë.

Si rezultat i bashkëpunimit me partnerët amerikanë dhe forcat kurde u bë e mundur identifikimi dhe gjetja, në kampet Al-Hawl dhe Roj, e 13 shtetasve shqiptarë, nga të cilët 3 gra dhe 10 të mitur. Këta 13 shtetas janë transportuar me avion deri në aeroportin e Prishtinës, dhe më pas janë marrë në dorëzim nga Policia shqiptare që i ka transportuar dhe akomoduar në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit po vijon punën, në bashkëpunim të ngushtë me SPAK dhe partnerët, për identifikimin, kapjen dhe dërgimin përpara drejtësisë të personave të përfshirë në kryerjen e veprave penale ”Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”dhe “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj. Edhe në fazën e katërt të këtij operacioni u pa qartë se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të punuar si e barabartë me partnerët në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit“, njofton policia.

Lexo edhe: VIDEO/ Mbërrijnë 13 shqiptarët e shpëtuar nga kampet në Siri, priten nga Çuçi në Prishtinë, në total 43 të riatdhesuar

Ndërkohë vijon puna me partnerët ndërkombëtarë me qëllim identifikimin, lokalizimi dhe riatdhesimin e të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet famëkeqe të Sirisë.

/abcnews.al