Ambasada e SHBA-së në Prishtinë: “Ballkanin e Hapur”, i suksesshëm vetëm nëse përfshinë të gjitha vendet

schedule15:34 - 27 Maj, 2022

schedule 15:34 - 27 Maj, 2022

Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po vazhdojnë ecjen përpara me iniciativën “Ballkani i Hapur”. Në këtë nismë ka të ngjarë që të bashkohet edhe Mali i Zi pas ndërrimit të pushtetit në Podgoricë, meqë kryeministri Dritan Abazoviç në intervistën e tij të fundit ka shprehur pëlqim për “Ballkanin e Hapur” duke thënë se jo çdo gjë që vjen nga përtej kufirit është e keqe. Derisa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten dy kundërshtueset e vetme.

Përkrahje për këtë ide ka edhe Uashingtoni zyrtar. Amabasadori i SHBA-së në Prishtinë, Christopher Hill, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën.

Por çfarë thonë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë?

Të pyetur nëse mendojnë se edhe Kosova duhet të bashkohet në këtë iniciativë, në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, kanë thënë se Kosova është shtet i pavarur që ka të drejtë të përcaktojë vetë prioritetet e politikës së jashtme, derisa shtojnë se si SHBA mbështesin përpjekjet gjithëpërfshirëse që synojnë rritjen e bashkëpunimit rajonal, përfshirë edhe “Ballkanin e Hapur”.

Teksa e potencojnë këtë, nga Ambasada e SHBA-së theksojnë se idetë si “Ballkani i Hapur”, Tregu i Përbashkët Rajonal e Procesi i Berlinit, mund të kenë sukses vetëm nëse janë të hapura për të gjitha vendet dhe janë në pajtim me standardet evropiane.

“Si një shtet sovran dhe i pavarur, Kosova ka të drejt të përcaktojë prioritetet e saj të politikës së jashtme. Thënë kështu, SHBA-ja mbështet përpjekjet gjithëpërfshirëse për të siguruar integrimin ekonomik rajonal. Këtu përfshihet Procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, CEFTA dhe nisma e “Ballkanit të Hapur. Megjithatë, këto nisma mund të kenë sukses vetëm nëse ato janë të hapura për të gjitha vendet dhe ofrojnë sisteme të përshtatshme ligjore dhe rregullatore që integrohen me standardet evropiane”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani, e kundërshtojnë hapur nismën e “Ballkanit të Hapur”. Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, ka thënë se Kosova nuk mbështet iniciativat e tjera paralele me Procesin e Berlinit.

“Biseduam edhe për Bashkëpunimin Rajonal. Për Kosovën Bashkëpunim Rajonal nuk është zëvendësim për anëtarësim në BE, por përshpejtim. Ne mbështesim plotësisht Procesin e Berlinit dhe mirëpritëm përkushtimin e Kancelarit për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re. Po ashtu ne mbështesim Tregun e Përbashkët Rajonal i cili ndodhet brenda Procesit të Berlinit dhe rregullave të BE-së, është gjithëpërfshirës, i ka katër liritë prandaj edhe nuk  mbështesim iniciativa tjera paralele.Për Kosovën është e rëndësishme që në këtë proces qytetarët të jenë përfituesit përfundimtarë, saktësisht siç e tha edhe kancelari Scholz. Barazia e palëve dhe trajtimi i barabartë është i rëndësishëm, kurse njohja e dokumenteve është qenësore për të zbatuar çfarëdo marrëveshje që arrihet”, kishte deklaruar kryeministri Kurti pas takimit me kancelarin gjerman.

Edhe presidentja Vjosa Osmani pas takimit që ka pasur me homologun nga Shqipëria, Ilir Meta, e ka shprehur kundërshtimin e saj për nismën “Ballkani i Hapur”. Në qëndrimin anti- “Ballkan i Hapur” të tandemit Meta-Osmani bashkohet edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili mendon ndryshe nga Abazoviç.

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në një intervistë për Deutche Ëelle ka deklaraur se një çështja e “Ballkanit të Hapur” s’duhet dramatizuar dhe se opinioni i tij është që janë të mirëseardhura nismat që ndihmojnë integrimin në BE, por jo edhe ato që tentojnë të jenë zëvendësim për integrimin.

“Për mua edhe kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon që të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është ok”, ka thënë Abazoviq.

I pyetur nëse “Open Balkan” është kundër konceptit të Procesit të Berlinit, Abazoviq ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se Open Balkan me Procesin e Berlinit kanë përputhshmëri.

Ai tutje thotë e njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen që të dramatizojnë çdo çështje, derisa shton se të gjitha nismat si Procesi i Berlinit, CEFTA e “Ballkani i Hapur” kanë mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal.

Pas këtij qëndrimi, Abazoviq e presidenti serb, Aleksander Vuçiq, janë takuar në Davos para pak ditësh, prej ku presidenti serb i ka bërë thirrje kryeministrit të Malit të Zi t’i bashkohet takimit të radhës të “Ballkanit të Hapur” që do të mbahet në Ohër./GazetaExpress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!