Gjimshiti e Berisha më pranë Championsit

schedule13:55 - 23 Prill, 2019

schedule 13:55 - 23 Prill, 2019

Dy futbollistë shqiptarë të Serisë A mund të luajnë në Champions sezonin e ardhshëm. Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha po vazhdojnë një sezon të madh me Atalantën

Kthimi në shtëpi ishte një festë.

Krejtësisht e merituar për futbollistët e Atalantës, pas fitores së madhe në fushën e Napolit, me shanse të mëdha për të luajtur sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.

Bashkë me shokët, të lumtur edhe dy lojtarë të kombëtares shqiptare, mbrojtësi Berat Gjimshiti dhe portieri Etrit Berisha, pjesë e bergamaskëve.

Sidomos Gjimshiti, që ishte titullar në “San Paolo”, duke dhënë kontribut të madh në suksesin 2-1.

Berisha, i gëzuar përgjysmë, pasi u la në stol nga trajneri Gasperini, që zgjodhi Golinin, një portier vërtet në formë shumë të mirë.

Suksesi bëri që Atalanta të barazohej me Milanin e vendit të katërt, me nga 56 pikë,  duke mbetur prapa vetëm për shkak të ndeshjeve direkte.

Roma, Torino apo Lacio kanë mbetur prapa.

Shqiptarët janë në një skuadër që shënon thuajse sa Juventusi, plot 66 gola, shumë më tepër se ekipet e tjerë të Serisë A.

Gjimshiti është aty titullar thuajse i përhershëm, tregues i qartë i nivelit që po tregon këtë sezon.

Në krahun tjetër, Elseid Hysaj vuajti shumë sepse sulmet e Atalantës ishin thuajse të gjithë në krahun ku mbronte ai.

Edicion aspak i mirë për kapitenin e kombëtares shqiptare, i cili nuk po përshtatet siç duhet me skemat e trajnerit napolitan Karlo Ançeloti.

Napoli, gjithsesi, mund të thuhet se e humbi vetë këtë ndeshje.

Kaloi shumë shpejt në avantazh, dhe i pati të gjitha mundësitë të thellonte epërsinë.

Vetëm fati dhe teknologjia e shpëtuan Atalantën nga goli i dytë, që do të thoshte humbje e sigurt, gjë që nuk ndodhi.

“Ishte një fitore fantastike, – tha trajneri Gasperini më pas, – nuk ishte e lehtë në fushën e një skuadre si Napoli. Në garën për Ligën e Kampionëve jemi edhe ne”.

Në fund, ekipi i dy shqiptarëve ia doli dhe festa e tifozëve që i prisnin në Bergamo, në orët e vona të natës, ishte dëshmi e qartë se deri ku ka mbërritur skuadra provinciale.

Ëndrra mbetet Championsi, dhe është plotësisht e realizueshme./abcnews.al