Raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës është edhe shansi i fundit i opozitës, sipas marrëveshjes paraprake, ndonëse palët kanë kundërshtime. Në limitet e kohës për të dorëzuar një emër për kreun e ri të shtetit, vjen edhe lëvizja e radhës nga Enkelejd Alibejt.
Siç raporton gazetari Juxhin Mustafaraj, nesër në orën 10:30 ai ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar. Deputetëve demokratë u ka mbërritur mesazhi për mbledhjen e nesërme.
Afati i fundit për depozitimin e kandidaturave në Kryesinë e Kuvendit është data 29 maj, ora 16:00 ndërsa në Kuvend pritet të kalojnë për votim kandidaturat më 30 maj.
Maxhoranca ka deklaruar se nuk do të propozojë asnjë emër deri në raundin e tretë, pasi sipas marrëveshjes që ata kanë arritur i takon opozitës.
Është pikërisht mënyra e propozimit të emrit që ndan palët. Sipas formulës së propozuar nga Alibeaj, ata do të sjellin në tavolinë 4 emra, më pas përzgjidhen dy në fund së bashku me socialistët të zgjedhin një kandidaturë të përbashkët për ta çuar në Kuvend që rrjedhimisht do të jetë edhe presidenti i ri i shqiptarëve.
Kjo formulë nuk është pranuar nga socialistët. Ata i qëndrojnë besnikë idesë së tyre se deri në raundin e tretë propozon vetëm opozita dhe nëse bien dakord me kandidaturën e tyre edhe mund ta votojnë. Në të kundërt, PS do ta votojë vetë presidentin në raundin e katërt. Megjithatë, pritet me interes se çfarë do të diskutojnë demokratët në mbledhjen e nesërme.
Kujtojmë se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 presidenti zgjidhet me pesë raunde. Në dy të fundit vetëm me 71 vota. g.v/abcnews.al