HARTA/ Vendet ku është identifikuar deri më tani lija e majmunëve

schedule08:57 - 25 Maj, 2022

schedule 08:57 - 25 Maj, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Që kur Britania raportoi rastin e parë të lisë së majmunëve më 7 maj, më shumë se 100 raste janë regjistruar në të gjithë botën. Sëmundja, e cila zakonisht ka qenë e kufizuar në Afrikë, tani është përhapur në të paktën 14 vende në Europë dhe pesë në vende të tjera të botës.

Simptomat janë të ngjashme me ato të lisë: ethe, lodhje dhe flluska që përhapen në fytyrë dhe trup.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sëmundja nuk është e rrezikshme dhe nuk shkakton viktima nëse trajtohet që në fillimin e simptomave por mund të jetë e rrezikshme për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobët.

Sipas informacioneve deri më tani ka qenë fatale në 3-6% të rasteve – një normë e rritur nga kujdesi i dobët shëndetësor në shumë vende afrikane. Një lloj i përhapur në Kongo ka më tepër gjasa të jetë vdekjeprurës sesa varianti i Afrikës Perëndimore që tani po përhapet jashtë kontinentit.

Deri më tani nuk është regjistruar asnjë viktimë nga lija e majmunëve jashtë Afrikës. Përhapja e lisë së majmunëve në vendet europiane ka qënë më përpara e kufizuar në udhëtarët nga Afrika, ose kontaktet e tyre të ngushta, raporton abcnews.al.

Rasti i parë që u zbulua në Britani këtë muaj përfshinte një person që kishte udhëtuar së fundmi nga Nigeria. Por që atëherë sëmundja është përhapur më gjerësisht: Britania ka diagnostikuar 57 persona. Spanja ka raportuar 40 raste; Portugalia 23.

Lija e majmuëve është përhapur gjithashtu edhe në Amerikë dhe Australi. Ndërkohë Argjentina, Austria dhe Danimarka konfirmuan rastet e  para më 23 maj. Lija e majmunëve transmetohet më shpesh përmes kontaktit të drejtëpërdrejtë, lëngjeve trupore ose materialeve të kontaminuara, si rrobat.

Shumë nga infeksionet e fundit në Europë kanë qenë të lidhura me ngjarje të mëdha, duke përfshirë një paradë të krenarisë së homoseksualëve në Spanjë dhe një festival në Belgjikë. Hans Kluge nga OBSH ka paralajmëruar se “transmetimi mund të përshpejtohet” gjatë muajve të verës, i nxitur nga festivalet dhe festat, raporton abcnews.al.

Ai ka rekomanduar larjen e duarve dhe përdorimin e pajisjeve mbrojtëse për punonjësit shëndetësore. Personat e infektuar dhe kontaktet e tyre janë këshilluar të izolohen për 21 ditë dhe autoritetet shëndetësore po përdorin gjurmimin e kontakteve për të minimizuar përhapjen.

Por virusi nuk transmetohet aq shpejt sa SARS-CoV-2. Ai nuk ndryshon aq shpejt sa gripi ose koronaviruset, që do të thotë se ka më pak gjasa që papritur të bëhet më i rrezikshëm. Dhe vendet perëndimore dinë si ta trajtojnë. Numri më i madh i të infektuarve jashtë Afrikës është regjistruar në vitin 2003, me 70 persona.

Por sëmundja u vu në kontroll shumë shpejt. Vaksinimi mund t’i ndihmojë njerëzit të shërohen edhe pasi janë infektuar, dhe vaksinat kundër lisë (nga të cilat shumë vende kanë rezerva të mëdha) vlerësohet të jenë 85% efektive kundër lisë së majmunëve.

Disa vende tashmë po vaksinojnë kontaktet e të infektuarve. Megjithëse, si në fazat e hershme të pandemisë Covid, rastet ndoshta do të vazhdojnë të rriten, por jo deri në bllokimin e vendeve.

/abcnews.al