Komisioni për Çështjet Ligjore u mblodh mëngjesin e sotëm për shqyrtimin e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, megjithëse deri në afatin e fundit që ishte të dielën, nuk u paraqit asnjë kandidaturë, duke djegur kështu edhe raundin e dytë.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes maxhorancës dhe opozitës janë ndërprerë, pasi kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se PS ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. Në pretendimin e saj maxhoranca ka deklaruar se Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord që opozita t’i bëjë propozimet për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, kurse socialistët të kishin mundësi të bënin propozimet e tyre në raundet e fundit.
Ndërkaq Kuvendi sot do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri. Nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë zyrtarisht për zgjedhjen e Presidentit atëherë maxhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.
/abcnews.al